BQK organizon konferencë rajonale për mbikëqyrjen bankare, në fokus rreziqet kibernetike dhe kriptoasetet

Prishtinë | 22 Tet 2026 | 14:32 | Nga Ekonomia Online

Banka Qendrore e Republikës së Kosovës (BQK), në bashkëpunim me Qendrën për Ekselencë në Financa (CEF), ka organizuar në Prishtinë Konferencën Rajonale për Rregullimin dhe Mbikëqyrjen Bankare, me mbështetjen e Bankës së Sllovenisë dhe Bankës Qendrore të Letonisë.

Konferenca dyditore ka mbledhur përfaqësues të bankave qendrore, autoriteteve rregullative dhe mbikëqyrëse, ekspertë ndërkombëtarë dhe profesionistë të sektorit financiar, për të diskutuar zhvillimet dhe sfidat në rregullimin dhe mbikëqyrjen financiare.

Sipas njoftimit të BQK-së, vëmendje e veçantë i është kushtuar menaxhimit të rreziqeve kibernetike, qëndrueshmërisë operacionale digjitale sipas rregullores DORA dhe zbatimit të Rregullores Evropiane për Tregjet e Kripto-aseteve (MiCA).

Në hapje të konferencës, fjalë përshëndetëse mbajtën guvernatori i BQK-së, Ahmet Ismaili, dhe ambasadori i Sllovenisë në Kosovë, Borut Blaj, në prani të përfaqësuesve të CEF-it dhe bankave qendrore partnere.

Guvernatori Ismaili theksoi rëndësinë e stabilitetit financiar dhe të bashkëpunimit rajonal, duke vlerësuar se inovacioni dhe transformimi digjital krijojnë mundësi të reja për zhvillimin e sektorit financiar.

“Stabiliteti financiar mbetet themeli i zhvillimit të qëndrueshëm të sektorit financiar, ndërsa inovacioni dhe transformimi digjital krijojnë mundësi të reja për efikasitet, konkurrencë dhe përfshirje financiare”, thuhet në njoftimin e BQK-së, duke iu referuar fjalës së guvernatorit.

Ismaili ka theksuar gjithashtu nevojën për një kornizë rregullative proporcionale dhe të bazuar në rrezik, e cila mundëson inovacionin dhe zhvillimin e tregut pa krijuar barriera të panevojshme, duke garantuar njëkohësisht mbikëqyrje efektive, qëndrueshmëri operacionale dhe mbrojtje të konsumatorëve.

Gjatë fjalës së tij, guvernatori u ndal edhe te sfidat praktike të zbatimit të rregullativës, përfshirë licencimin, qeverisjen, transparencën dhe mbikëqyrjen e aktiviteteve komplekse financiare.

Ai theksoi rëndësinë e menaxhimit të rreziqeve kibernetike, sigurisë së sistemeve të informacionit, përgjegjësisë së organeve drejtuese dhe qëndrueshmërisë operacionale të institucioneve financiare, në përputhje me zhvillimet evropiane dhe kërkesat e rregullores DORA.

BQK-ja ka bërë të ditur se këto fusha ndërlidhen me prioritetet e saj strategjike për forcimin e mbikëqyrjes së bazuar në rrezik, avancimin e Procesit të Rishikimit dhe Vlerësimit Mbikëqyrës (SREP), zhvillimin e kornizës makroprudenciale dhe forcimin e kapaciteteve për monitorimin e rreziqeve sistemike.

Paralelisht, institucioni po avancon kornizën rregullative për kriptoasetet dhe sigurinë kibernetike, si dhe modernizimin e infrastrukturës së pagesave, përfshirë përgatitjet për anëtarësim në Zonën Unike të Pagesave në Euro (SEPA) dhe zhvillimin e sistemit të pagesave të shpejta TIPS Clone.

Në këtë drejtim, guvernatori ka vlerësuar edhe miratimin e fundit të ndryshimeve në legjislacionin për parandalimin e pastrimit të parave dhe luftimin e financimit të terrorizmit.

Sipas BQK-së, këto ndryshime përbëjnë një hap të rëndësishëm drejt përmbushjes së parakushteve për aplikimin e Kosovës në SEPA, së bashku me miratimin e rregullativës përkatëse dhe përmbylljen e procedurave të nevojshme.

Ndërkaq, ambasadori i Sllovenisë në Kosovë, Borut Blaj, vlerësoi rolin e BQK-së në avancimin e reformave të sektorit financiar, forcimin e bashkëpunimit rajonal e ndërkombëtar dhe përafrimin me standardet evropiane.

Ai theksoi rëndësinë e partneritetit institucional dhe shkëmbimit të përvojave në kuadër të mekanizmave rajonalë, me qëllim të zhvillimit të kapaciteteve dhe avancimit të praktikave mbikëqyrëse.

BQK-ja ka vlerësuar se organizimi i kësaj konference në Kosovë dëshmon forcimin e bashkëpunimit me CEF-in, Bankën e Sllovenisë dhe Bankën Qendrore të Letonisë, duke krijuar mundësi për shkëmbimin e përvojave dhe zhvillimin e zgjidhjeve praktike për sfidat e përbashkëta të mbikëqyrjes financiare.

Në përfundim, BQK-ja ka ritheksuar përkushtimin për nisma të përbashkëta që synojnë ruajtjen e stabilitetit financiar, nxitjen e inovacionit dhe krijimin e një mjedisi rregullativ që mbështet zhvillimin e sektorit financiar, forcon besimin e publikut dhe avancon integrimin e Kosovës në tregun financiar evropian.

Të ngjashme