Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, ka folur për sulmin terrorist në Banjskë dhe shpërthimin në kanalin e Ibër-Lepencit, gjatë fjalimit të tij në seancën plenare të Samitit XIII të Procesit të Berlinit.
Kurti i cilësoi këto dy raste si sulme ndaj Kosovës, duke theksuar se ato ishin kryer në mënyrë që përgjegjësia të mund të mohohej.
Ai përmendi edhe Milan Radoiçiqin, për të cilin tha se ka marrë përgjegjësinë për sulmin në Banjskë, por vazhdon të jetë i lirë.
“Sulmi ndaj një demokracie evropiane është sulm ndaj gjithë Evropës dhe meriton përgjigje kolektive, sepse reagimi që ndërtohet rast pas rasti nuk është parandalues. Për Kosovën anëtarësimi në NATO sjell edhe parandalimin”, tha kryeministri,
Ai theksoi se anëtarësimi i Kosovës në NATO do të shërbente edhe si mekanizëm parandalues ndaj kërcënimeve të sigurisë.
Gjatë fjalimit, Kurti ngriti edhe çështjen e të drejtave të pakicave në rajon, duke kërkuar që ato të trajtohen në mënyrë të barabartë në kuadër të Procesit të Berlinit.
Në veçanti, ai u bëri thirrje pjesëmarrësve që t’i kushtojnë vëmendje situatës së shqiptarëve në Luginën e Preshevës.
“Të drejtat e pakicave gjithashtu meritojnë përgjigje të përbashkët në Procesin e Berlinit. Thuajse secila shumicë në rajonin tonë është pakicë matanë kufirit, dhe kur të drejtat ndalet aty, ajo asimetri është padrejtësi. Ju bëj thirrje të shikoni nga afër Luginën e Preshevës, ku shqiptarët, hap pas hapi, po shtyhen jashtë institucioneve, jetës publike e qytetare, derisa qëndrimi po bëhet shumë më i vështirë sesa largimi”, tha shefi i qeverisë në Mal të Zi.