Avokati Ardian Bajraktari ka thënë se katër javët e ardhshme duhet të shfrytëzohen për shqyrtim serioz dhe profesional të Ligjit për ndryshimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar, pasi Presidentja e Republikës e ka kthyer atë në Kuvend për rishqyrtim.
Bajraktari, përmes një postimi, ka shpjeguar procedurën që duhet të ndiqet pas kthimit të ligjit, duke theksuar se Komisioni për Legjislacion duhet ta përgatisë raportin për seancën plenare brenda katër javëve nga dita e pranimit të tij.
“Bëhet fjalë për katër javë – një mundësi e mirë për reflektim!”, ka shkruar Bajraktari.
Ai ka theksuar se procedura e mëtejshme zhvillohet në përputhje me dispozitat e Rregullores së Kuvendit dhe autorizimet kushtetuese të Presidentes.
“Kryetarja e Kuvendit ia dërgon menjëherë ligjin për shqyrtim komisionit përgjegjës-raportues, si dhe deputetëve të Kuvendit. Komisioni përgjegjës-raportues, në këtë rast Komisioni për Legjislacion, e përgatit raportin për seancën plenare brenda katër javëve nga dita e pranimit të ligjit”, ka shkruar ai.
Sipas Bajraktarit, pas përfundimit të shqyrtimit në komision, ligji do të rikthehet në seancë plenare, ku Kuvendi do të vendosë për të.
Ai ka vlerësuar se kjo periudhë duhet të përdoret për shqyrtimin e vërejtjeve dhe eliminimin e elementeve që mund të paraqesin probleme kushtetuese.
“Kjo periudhë duhet të shfrytëzohet për një shqyrtim serioz, profesional dhe kushtetues të ligjit, me qëllim të adresimit të vërejtjeve dhe eliminimit të elementeve problematike, para se ai të rikthehet në seancë plenare”, ka theksuar Bajraktari.
Në fund, avokati ka bërë thirrje për një proces gjithëpërfshirës dhe të koordinuar, duke kërkuar që të nisin pa vonesë edhe konsultimet me aleatët ndërkombëtarë, veçanërisht me Bashkimin Evropian.
“Ligjbërja, aq më tepër kur bëhet fjalë për procese të tilla me rëndësi të veçantë shtetërore, kërkon qasje gjithëpërfshirëse, profesionale dhe të mirëkoordinuar. Po ashtu duhet filluar pa vonesë konsultimet me aleatët, veçmas BE-në, me qëllim të përmbushjes së zotimeve ndërkombëtare”, ka shkruar Bajraktari.