
Jo të gjitha çmimet e Topit të Artë, të cilat do të ndahen nesër në Londër, përcaktohen përmes të njëjtit sistem votimi.
Juria kryesore përbëhet nga gazetarë të specializuar, ndërsa çmimet për talentin e ri të vitit, të njohura më parë si Trofeu Kopa, kanë një procedurë tjetër, kurse disa çmime të tjera ndahen pa votim.
Fituesi i Topit të Artë për meshkuj përzgjidhet nga 100 gazetarë, nga një për secilin prej 100 shteteve më të renditura në klasifikimin e FIFA-s.
Për Topin e Artë për femra, juria përbëhet nga 50 gazetarë, të cilët përfaqësojnë 50 shtetet e para në këtë renditje.
Të njëjtat dy juri janë përgjegjëse edhe për përzgjedhjen e fituesve të Trofeut Yashin, që vlerëson portierët më të mirë për meshkuj dhe femra; Trofeut Johan Cruyff, për trajnerët më të mirë në të dyja kategoritë; si dhe çmimeve për klubin e vitit, për meshkuj dhe femra.
Në të gjitha këto raste, juria e meshkujve vendos për kategoritë e meshkujve, ndërsa juria e femrave për kategoritë e femrave.
Sistemi ndryshon për çmimet e talentit të ri të vitit, të cilat vlerësojnë futbollistët më të mirë nën moshën 21-vjeçare.
Në kategorinë e meshkujve, votojnë ish-fituesit e Topit të Artë.
Në kategorinë e femrave merr pjesë një juri e veçantë, e përbërë nga ish-fitueset e Topit të Artë dhe futbollistet që kanë zënë tri vendet e para në çmimin për femra që nga themelimi i tij në vitin 2018, si dhe kryeredaktori i revistës “France Football”.
Trofeu Gerd Müller, që vlerëson golashënuesit më të mirë në kategoritë e meshkujve dhe femrave, nuk ndahet përmes votimit, por në bazë të numrit të golave të shënuar gjatë periudhës së përcaktuar.
Çmimi Socrates, që vlerëson angazhimin shoqëror, përcaktohet nga një komitet i lidhur me “France Football”, “L’Équipe” dhe organizatën “Peace and Sport”.
Sa i përket Topit të Artë, secili gazetar përzgjedh dhjetë kandidatë dhe u ndan pikë sipas renditjes së preferencës: 15, 12, 10, 8, 7, 5, 4, 3, 2 dhe 1 pikë. Fitues shpallet kandidati që grumbullon më së shumti pikë./GazetaExpress/