GLPS: Kosova zbatoi vetëm 18 nga 62 reformat e BE-së, rrezikon humbjen e mbi 40 milionë eurove

Prishtinë | 26 Tet 2026 | 10:23 | Nga Ekonomia Online

Kosova ka zbatuar vetëm 18 nga 62 reforma të parapara në Agjendën e Reformave në kuadër të Planit të Rritjes së Bashkimit Evropian, ndërsa bllokadat politike kanë ndikuar në ngecjen e procesit dhe rrezikun e humbjes së mbi 40 milionë eurove, sipas vlerësimeve të paraqitura nga Grupi për Studime Juridike dhe Politike (GLPS), raporton Ekonomia Online.

Në tryezën e rrumbullakët me temën “Rruga e Kosovës drejt BE-së pas ngërçit politik: Shndërrimi i momentit të favorshëm në reforma”, u prezantua përditësimi i Agjendës së Reformave të Kosovës për semestrin e tretë, ku u theksuan shkalla e ulët e zbatimit të reformave dhe koha e kufizuar për përmbushjen e masave të mbetura.

Drejtoresha ekzekutive e GLPS-së, Njomza Arifi, tha se bllokadat politike që kanë zgjatur për më shumë se dy vjet i kanë kushtuar Kosovës jo vetëm në kohë, por edhe në performancën institucionale, sundimin e ligjit, administratën publike dhe zhvillimin ekonomik.

“Bllokadat që janë më shumë se përafërsisht dy vite, ka bërë që të ketë mungesë performance, dhe na ka kushtuar shumë. Jo vetëm në kohë, por edhe në mungesë performance në sundim të ligjit, në administratë publike, në zhvillim ekonomik, dhe në përmirësim të jetës së qytetarëve. Kjo është pjesë më e madhe në implementimin e agjendës së reformave për Kosovën, por edhe nga një vlerësim i qeverisë thuhet se përmasat që kanë qenë deri në qershor mund të jenë humbur mbi 40 milionë euro. Natyrisht, për këtë duhet pritur edhe vlerësimin e Bashkimit Europian. Tani, kemi shumë pak kohë deri në fund të dhjetorit, për të implementuar edhe 27 masa të tjera të cilave ju kalon afati përfundimisht në 31 dhjetor të këtij viti, dhe gjithë plani i rritjes, apo agjendës së reformave, deri në fund të gushtit të vitit të ardhshëm. Pra, koha nuk është në anën tonë, në njërën anë kemi urgjencë për të implementuar hapa reformues, kurse në anën tjetër mbetet po aq e rëndësishme që këto reforma të mbesin cilësore, dhe të mos implementohen veç sa për të qenë pjesë e agjendës së reformave”, tha Arifi.

Ajo theksoi se Kosova duhet të dëshmojë rezultate konkrete në reforma për të avancuar drejt Bashkimit Evropian, duke shtuar se perspektiva evropiane duhet të shoqërohet edhe me mundësi më të hershme të pjesëmarrjes në politikat dhe mekanizmat e BE-së.

“Në këtë kontekst, është shumë e rëndësishme të diskutohet edhe mbi perspektivën evropiane të Kosovës, e veçanërisht tani është shumë e rëndësishme për shkak se po diskutohen edhe forma të reja të zgjerimit, përfshirë edhe integrimin gradual. Kosova duhet të përgatitet jo vetëm për një anëtarësim të mundshëm në të ardhmen, por edhe për mundësitë e pjesëmarrjes më të hershme në politikat dhe mekanizmat evropianë. Për këtë, na duhen rezultate; nuk mjafton që të jemi vetëm populli më pro-evropian në Ballkan, por nuk mjafton as vetëm ambicia deklarative politike, por duhet të ketë edhe reforma të prekshme të cilat implementohen. Në anën tjetër, natyrisht BE duhet të ofrojë një perspektivë për Kosovën”, tha ajo.

Autori i raportit dhe hulumtuesi i GLPS-së, Besar Gërgi, gjatë prezantimit të përditësimit të Agjendës së Reformave për semestrin e tretë, tha se sipas raportimit të Qeverisë janë përmbushur shtatë nga 13 hapat reformues që kishin afat deri në qershor të vitit 2026.

“Qeveria ka raportuar se janë përmbushur 7 nga 13 hapa reformues që e kanë pasur afatin përfundimtar qershor 2026. Pra, kanë qenë të semestrit të dytë, qershor 2025, e kanë pasur 1 vit periudhë tolerimi deri në qershor të vitit 2026, dhe këtu flasim për një, le të themi, shkallë zbatimi pak më shumë se 50%. Ndërkohë, ka dalur edhe raporti i parë zyrtar i qeverisë, është i publikuar në web-faqen e Zyrës së Kryeministrit, ku thuhet se nga 62 reforma në total sa kanë qenë deri tash, janë zbatuar 18, që do të thotë diku një shkallë zbatimi prej rreth 29%. Pra, nëse flasim në përqindje, shkalla e zbatimit nuk është më e larta e mundshme. Kur flasim në aspektin financiar, Kosova mund të përfitojë deri në 883 milionë euro nga plani i rritjes, deri më tani ka përfituar vetëm nga parafinancimi prej 7%”, tha Gërgi.

Ai tha se vonesat në ratifikimin e marrëveshjeve kanë pamundësuar raportimin zyrtar të Kosovës te Komisioni Evropian deri në dorëzimin e raportit të parë më 15 korrik. Sipas tij, vlerësimi i Komisionit Evropian do të japë një pasqyrë më të plotë të reformave të zbatuara dhe atyre që kanë mbetur pa u përmbushur.

“Dhe problemi më i madh këtu ka qenë mosratifikimi i marrëveshjeve, që e pamundësonte raportimin zyrtar të qeverisë së Kosovës te Komisioni Evropian, raporti i parë zyrtar është dorëzuar më 15 korrik, tashmë jemi në pritje të vlerësimit të Komisionit Evropian, dhe vetëm kur del ky vlerësim do të kemi një pasqyrë të saktë dhe të plotë se çfarë është zbatuar dhe çfarë jo. Por po ashtu vlen të ceket se në qershor u përmbyll edhe afati i katërt nga 7 në total, pra janë 7 semestra të agjendës së reformave, në fund të vitit do ta përmbyllim edhe semestrin e pestë, dhe i gjithë instrumenti për rritje përfundon në shtator të vitit të ardhshëm”, tha ai.

Gërgi vlerësoi se kriza politike ka ndikuar ndjeshëm në zbatimin e Agjendës së Reformave, ndërsa ka paralajmëruar se Kosova ka më pak se një vit të plotë për të përmbushur objektivat e mbetura.

“Pra, sa i përket zbatimit, duhet të kemi parasysh se nuk kemi asnjë vit të plotë përpara nesh. Folëm pak a shumë për një shkallë të ulët zbatimi dhe ngecje të shumta, dhe kjo padyshim shpjegohet në masë të madhe për shkak të krizës politike. Nëse flasim në disa data, pra më 11 shkurt u konstitua Kuvendi dhe u formua qeveria, vetëm dy ditë më pas janë ratifikuar dy marrëveshje, pra ajo e facilitetit dhe huamarrjes, dhe më 19 mars është emëruar koordinatori kombëtar”, tha ai.

Të ngjashme