Berisha: PD-ja thërret protestë kombëtare të shtunën në mbështetje të studentëve dhe gjimnazistëve

Prishtinë | 27 Tet 2026 | 13:22 | Nga Ekonomia Online

Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha gjatë fjalës së tij në konferencë për mediat ka bërë me dije të shtunën me 31 tetor do të mbahet një tjetër protestë kombëtare në mbështetje të studentëve.

“Plotësisht dhe fuqishëm. Partia Demokratike thërret protestë kombëtare në mbështetje të studentëve. Asgjë nuk e ndan më Partinë Demokratike nga këto dy parime: mbështetje e fuqishme, mbrojtje e tyre. Ky është përcaktimi ynë”, tha ai.

Ndërkohë Kryeministri Edi Rama ka vijuar edhe këtë të martë thirrjet për dialog me studentët, ndërsa protestat kundër qeverisë hyjnë në ditën e 14-të. Përmes një postimi në rrjetet sociale, kreu i qeverisë ka shpërndarë pamje të ulëseve të vendosura përpara Kryeministrisë, duke përsëritur mesazhin e tij për uljen në tryezën e dialogut.

Ftesa e Ramës vjen në një kohë kur protesta ka kaluar përtej kërkesave të lidhura me arsimin dhe është shoqëruar me thirrje për dorëheqjen e kryeministrit. Studentët dhe të rinjtë që janë bashkuar në tubime e konsiderojnë largimin e tij si zgjidhjen e vetme, duke refuzuar deri më tani ofertën për dialog në formatin e propozuar nga qeveria.

Gjatë ditëve të fundit, protestat në Tiranë janë shoqëruar edhe me përplasje mes policisë dhe protestuesve, ndërsa tensionet kanë mbajtur në vëmendje reagimin e institucioneve dhe qëndrimin e palëve për zgjidhjen e situatës.

Të ngjashme