Aktakuzë ndaj tre personave që sulmuan ekipin e Klan Kosovës: I goditën me grushte, tentuan t’i shkatërronin provat

Prishtinë | 28 Tet 2026 | 10:15 | Nga Ekonomia Online

Prokuroria Themelore në Ferizaj ka ngritur aktakuzë ndaj tre të pandehurve për sulm ndaj ekipit të mediumit Klan Kosova.

Sipas një njoftimi të Prokurorisë, aktakuza ndaj tyre është ngritur për veprat penale “Lëndim i lehtë trupor”, “Asgjësimi apo dëmtimi i pasurisë” dhe “Manipulimi me prova”.

Ata akuzohen se me datën 7 tetor, teksa ekipi i Klanit po realizonte një storie për një kontest pronësor, me dashje i kanë sulmuar në atë mënyrë që posa kishin hyrë në veturën e tyrë, të akuzuarit ua bllokojnë rrugën për të mos i lejuar të kalojnë ndërsa të tjerë në një veturë tjetër nga prapa ua hapin dyert e veturës së të dëmtuarve, ku fillimisht fillojnë t’iu bërtasin e pastaj t’i sulmojnë fizikisht.

“Sipas aktakuzës së Prokurorisë, ekziston dyshimi i bazuar mire se të pandehurit I.R., A.R., dhe B.R., më datën 07.10.2026, rreth orës 11:40h, në rrugën “Hamit Rexhepi”, saktësisht në lagjen “Vanesa Residence” – në Ferizaj, të pandehurit në bashkëkryerje, me dashje dhe me qëllim të cenimit të integritetit trupor të dëmtuarve G.Sh., E.H., dhe S.Xh.,  -të gjithë staf gazetaresk nga mediumi “Klan Kosova”, në atë mënyrë që të dëmtuarit posa kishin hyrë me veturën e tyre në lagjen e lartpërmendur, me qëllim të realizimit të një storie lidhur me një kontest pronësor,  papritmas një veturë i parakalon duke ia bllokuar rrugën që mos ti lejojnë të qarkullojnë si dhe një veturë tjetër nga  mbrapa veturës së tyre, ashtu që të pandehurit posa dalin nga veturat pa asnjë paralajmërim, i’u hapin dyert e veturës së të dëmtuarve, fillimisht fillojnë ti bërtasin ofendojnë me tone të larta e më pas  i godasin me grushte në pjesë të ndryshme të trupit, me ç’rast të dëmtuarit kishin pësuar lëndime trupore dhe kishin kërkuar tretman mjekësor në  Qendrën Emergjente në Ferizaj, me ç’rast  nga ekspertiza mjeko ligjore e datës 16.10.2026, ka rezultuar se të dëmtuarit kanë pësuar dëmtime të lehta trupore me pasoja të përkohshme të shëndetit, me këtë  në bashkryerje kanë  kryer  veprën penale “Lëndimi i lehtë trupor” nga neni 185 paragrafi 1 lidhur me paragrafin 1 nën paragrafin 1.4 dhe nenin 31 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës”, thuhet në njoftim.

Po ashtu, sipas aktakuzës, Prokuroria thotë se “i pandehuri I.R., me datë, kohë dhe vend si në pikën I, me dashje dhe me qëllim që të asgjësoj, dëmtoj apo të bëjë të papërdorshme pasurinë e personit tjetër të dëmtuarit E.H., në atë mënyrë që deri sa kishte qenë në veturë, i pandehuri ia merr kamerën , duke ia dëmtuar- përplas për tokë, e bërë jo-funksionale dhe të njëjtën e dorëzon në stacionin policor në Ferizaj, me ç’rast të  dëmtuarit i ka shkaktuar dëm në vlerë të pa përcaktuar, me këtë ka kryer veprën penale “Asgjësimi apo dëmtimi i pasurisë” nga neni 321 par.1 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës”.

“Po ashtu, i njëjti  me qëllim të ndryshimit, heqjes, fshehjes, shkatërrimit apo dëmtimit apo bërjen e pashfrytëzueshme të provës materiale e cila do të shfrytëzohej  në procedurën penale ndaj tij dhe pengimit të ndriçimit të ngjarjes, në atë mënyrë që pas kryerjes së veprës penale, heq “DVR” të kamerave të sigurisë që ishin për të vrojtuar lagjen përfshirë edhe vendin e incidentit, heq provën materiale  e cila ishte nën menaxhimin e tij, – me këtë ka kryer veprën penale “Manipulimi me prova” nga neni 389 paragrafi 1 nga neni 389 paragrafi 1  të Kodit Penal të Republikës së Kosovës”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë.

Prokurori i Shtetit, me rastin e ngritjes së aktakuzës, i ka propozuar Gjykatës kompetente që të pandehurit të shpallen fajtorë dhe të dënohen sipas ligjit.

Të ngjashme