Shefi i Grupit Parlamentar të Aleancës, Besnik Tahiri, ka kritikuar deputetët e Lëvizjes Vetëvendosje për siç tha përpjekjet për të përfituar politikisht nga vrasja e Arlinda Zekajt, duke iu referuar publikimit të një fotografie të deputetit Daut Haradinaj me personin e dyshuar për këtë vrasje, raporton Ekonomia Online.
Tahiri tha se kjo tragjedi kërkon veprime të shpejta institucionale, hetim penal dhe përgjegjësi nga institucionet,
“Tragjedia e cila ndodhi para disa ditësh, nga vrasja barbare e cila e tronditi një shtet, e cili nuk po e lë rehat secilin prind që ka vajzë, secilin vëlla që ka motër dhe tragjedi e cila kërkon veprim të shpejtë institucional, shtetëror, përgjegjësi, hetim penal dhe mbi të gjitha, përgjegjësi nga institucionet që janë në vend. Për këtë temë, kemi folur dje pardje. Dhe sot nuk do të flas. Por deputetë të nderuar, në veçanti ju deputetë të rinj, dua ta sjell një çështje e cila është një ndër çështjet më jetike që duhet ta trajtojmë këtë Kuvend. Është përfitimi i ulët politik i cili synohet të fitohet nga një tragjedi, e cila e ka goditur secilin njeri normal në këtë vend. Është e ulët që në çfarëdo rrethane, pa pasur evidencë se cili prej nesh e se cili prej jush të mundohet të përfitojë politikisht nga një tragjedi, nga një trup që ende nuk ka qenë në dhe. E këtu po ju drejtohem juve, kolegë të nderuar të Lëvizjes Vetëvendosje”, tha ai.
Tahiri kritikoi edhe deputetin e VV-së, Taulant, lidhur me reagimin e tij ndaj fotografisë së Daut Haradinajt me të dyshuarin për vrasjen e Arlindës.
“Po i drejtohem deputet Taulantit, qysh ka mundësi Taulant me dalë me lexu fjalim në foltore e me u sjellë e pështjellë rreth forcave të Dukagjinit për çka që ka dalë dikush një foto që e paska hëngër dikush një drekë. Po ju deputetë që jeni të Dukagjinit këtu. E na bo vaki kemi në familjet tona njerëz psikopatë. E mu çu me e lidhë e me e pështjellë një njeri, një deputet, që familja e tij e njeh mirë kush. Kjo është e ulët”, tha ai.
Ai kritikoi gjithashtu deputeten Arlinda Fejza, lidhur me një deklaratë të saj në një emision televiziv për ish kryetarin e AAK-së, Ramush Haradinaj kinse ka ushtruar dhunë ndaj gruas.
“Kush është ai? A ka ndonjë padi. Po e dimë prej media për juve. A e dini çka shoh unë në media? Për Xhelal Sveçlën, e kam pa me atë vrasësin e tri vrasjeve. E unë me akuzu Xhelal Sveçlën e me akuzu Albin Kurtin që e kam pa me atë Naim Murselin, që s’di a është e vërtetë, a rren”, shtoi ai.