Ndryshimet buxhetore për vitin 2026 janë miratuar me 62 vota, pas shqyrtimit dhe votimit nga deputetët në seancën e sotme parlamentare, raporton Eknomia Online.
Propozimi për rishikimin e buxhetit të këtij viti pati 7 amendamente. Mbështetjen e morën dy prej tyre, përfshirë atë për pagën e 13-të. ndërsa nuk u mbështetën amendamentet e propozuara nga opozita.
Gjatë debatit parlamentar, deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Avdullah Hoti, e kritikoi propozimin e Qeverisë, duke e cilësuar atë si një përpjekje për të mbuluar 120 milionë euro të ndara në fillim të vitit. Sipas tij, projektligji ka probleme si në aspektin procedural, ashtu edhe në atë përmbajtësor.
Edhe deputetja e LDK-së, Hykmete Bajrami, kërkoi sqarime nga Ministria e Financave, duke thënë se duhet të bëhet e qartë nëse ndryshimet synojnë të mbulojnë pagën e 13-të, e cila është ndarë gjatë këtij viti.
Ndërkaq, deputetja e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Teuta Haxhiu, i cilësoi ndryshimet e propozuara si dinakëri të ministrit të Financave, Hekuran Murati. Pretendimet e opozitës u kundërshtuan nga vetë ministri.
Murati deklaroi se paga e 13-të ishte paraparë në buxhet dhe tashmë ishte paguar, ndërsa rishikimi synon të mbulojë diferencën e krijuar nga alokimi i parakohshëm i mjeteve, në përputhje me Ligjin e Buxhetit. Ai shtoi se paga e 13-të për vitin e ardhshëm do të paguhet në fillim të vitit 2027.
Sipas ministrit, ndryshimet lidhen edhe me pagesën retroaktive të shtesës për përvojën e punës.
Deklaratat e Muratit nxitën reagime të tjera nga deputetët opozitarë. Hoti e akuzoi ministrin për abuzim dhe e quajti gënjeshtar, ndërsa Bajrami e përshkroi situatën si “keqplanifikim të planifikuar”. Haxhiu, nga ana e saj, e quajti sërish Muratin “mashtrues”.
Hoti dhe deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Arben Mustafa, kritikuan gjithashtu Qeverinë lidhur me kërkesën për ndarjen e dividentëve nga kompanitë publike.
Në shtator, Qeveria kishte miratuar ndryshimet për rialokimin e 102 milionë eurove, të destinuara për pagën e 13-të të punonjësve të sektorit publik dhe për mbulimin e pagesave retroaktive të shtesës për përvojën e punës, pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese.
Shtesa prej 0.5 për qind për çdo vit përvojë pune ishte aplikuar për punonjësit e sektorit publik, por me Ligjin për Paga të vitit 2022, skema u ndryshua. Për 15 vitet e para të përvojës, shtesa u ul në 0.25 për qind për vit, ndërsa norma prej 0.5 për qind zbatohej pas vitit të 15-të. Gjykata Kushtetuese e shpalli këtë ndryshim antikushtetues, duke pasuar më pas padi nga qytetarët për kompensimin retroaktiv të diferencës.
Një tjetër çështje që shkaktoi debat në Kuvend ishte propozimi për ndarjen e një milion eurove për mbulimin e protezave për invalidët e luftës. Amendamenti i propozuar nga Komisioni për Mirëqenie Sociale nuk arriti të sigurojë mbështetjen e deputetëve.