Dosjet mjekësore dhe barrierat gjuhësore, sfida në zbatimin e marrëveshjes Kosovë–Danimarkë për të burgosurit

Prishtinë | 29 Tet 2026 | 14:24 | Nga Ekonomia Online

Qendra Kosovare për Rehabilitimin e të Mbijetuarve të Torturës (QKRMT/KRCT) ka mbajtur konferencën “Zbatimi i Marrëveshjes Kosovë–Danimarkë për transferimin e të burgosurve në Kosovë: Sfidat Ligjore”, ku në panelin e dytë është diskutuar për aspektet shëndetësore dhe të drejtat e njeriut të personave të burgosur, raporton Ekonomia Online.

Në këtë panel, përfaqësues të fushës së shëndetësisë, ekspertë ndërkombëtarë dhe përfaqësues të organizatave për të drejtat e njeriut kanë trajtuar standardet e kujdesit shëndetësor në burgje, përgjegjësitë institucionale, procedurat për trajtimin e rasteve urgjente dhe sfidat që mund të paraqiten gjatë zbatimit të marrëveshjes mes Kosovës dhe Danimarkës.

Mjeku i lartë specialist në Institutin Danez Kundër Torturës – DIGNITY, Jens Modving, ka theksuar se kujdesi shëndetësor për personat e privuar nga liria duhet të bazohet në dinjitetin njerëzor dhe në parimin e barazisë së trajtimit shëndetësor.

Duke iu referuar Rregullave të Mandelës, ai ka thënë se shteti merr përgjegjësinë për shëndetin e personit në momentin kur atij i hiqet liria e lëvizjes.

“Rregullat e Mandelës bazohen te respekti për personat në burg si qenie njerëzore dhe te parimi i dinjitetit. Sa i përket shëndetit, ato specifikojnë parimin e barazisë së kujdesit shëndetësor, që do të thotë se kur dikush hyn në burg dhe i hiqet liria e lëvizjes, shteti merr përsipër përgjegjësinë për shëndetin e tij. I burgosuri ka të drejtë për kujdes shëndetësor të së njëjtës cilësi brenda burgut ashtu si edhe jashtë tij”, ka deklaruar Modving.

Ai ka nënvizuar rëndësinë e ekzaminimit mjekësor të personave të sapoarrestuar ose të transferuar në burg, me qëllim që problemet shëndetësore të identifikohen dhe të trajtohen në kohë.

“Rregullat e Mandelës kërkojnë që çdo person që hyn në burg të ekzaminohet nga një mjek sa më shpejt të jetë e mundur, në praktikë brenda 24 orëve, në mënyrë që problemi shëndetësor të trajtohet që në fillim”, ka thënë ai.

Sipas Modvingut, ndonëse ekzistojnë standarde të shumta ndërkombëtare për të drejtat e njeriut dhe të drejtën për shëndet në burgje, zbatimi i tyre vazhdon të përballet me pengesa të konsiderueshme.

“Ekzistojnë shumë standarde ndërkombëtare për të drejtat e njeriut dhe të drejtën për shëndet në burgje, por ka pengesa të shumta në zbatimin e tyre. Në opinionin publik, njerëzit shpesh mendojnë se të burgosurit nuk meritojnë trajtim të duhur, ndërsa për politikanët kjo nuk është një temë që sjell vota. Për shkak të mungesës së burimeve, kushtet reale në burgje janë larg standardeve të shkëlqyera”, ka theksuar Modving.

Ai ka paralajmëruar gjithashtu se privimi nga liria mund të shoqërohet me rreziqe të tjera për shëndetin dhe sigurinë e të burgosurve, duke përfshirë sëmundjet e rënda, problemet e shëndetit mendor, dhunën dhe rekrutimin nga grupet kriminale.

“Përveç privimit të lirisë, të burgosurit përballen me ndëshkime shtesë: rrezikun e sëmundjeve të rënda, si hepatiti, HIV-i dhe sëmundjet mendore, sulmeve të dhunshme për shkak të kontrabandës, apo rekrutimit në grupe kriminale”, ka deklaruar ai.

Modving ka vlerësuar se monitorimi i pavarur është thelbësor për të siguruar respektimin e standardeve ndërkombëtare dhe për të parandaluar shkeljet e të drejtave të personave të privuar nga liria.

“Për këtë arsye, standardet më të rëndësishme mbeten ato të vendosura në Protokollin Opsional të Konventës Kundër Torturës, për krijimin e Mekanizmave Kombëtarë për Parandalimin e Torturës, dhe Konventën Evropiane për Parandalimin e Torturës, për Komitetin Evropian për Parandalimin e Torturës (CPT). Monitorimi i pavarur është mjeti më i mirë për të siguruar që realiteti në burgje t’i afrohet standardeve të kërkuara”, ka thënë ai.

Udhëheqësi i Departamentit të Shëndetësisë në Burgje në Ministrinë e Shëndetësisë, Milazim Gjocaj, ka shpjeguar disa nga dispozitat e marrëveshjes që lidhen me gjendjen shëndetësore të personave që mund të transferohen në Kosovë dhe me mënyrën e organizimit të shërbimeve shëndetësore.

Ai ka thënë se marrëveshja parasheh kufizime lidhur me gjendjen shëndetësore të personave që mund të transferohen, duke përfshirë edhe disa kategori të personave me çrregullime të shëndetit mendor.

“Në këtë aspekt, por para se të shkoj te kjo, duhet të cek një çështje: cilët të burgosur, në aspektin shëndetësor, mund të vijnë në Kosovë? Natyrisht që në një paragraf në traktat e kemi paraparë që mund të vijnë të burgosur që kanë gjendje të mirë shëndetësore në momentin e transferit, dhe në të njëjtën kohë janë disa kufizime të disa gjendjeve shëndetësore që mund të vijnë, përfshirë ata të cilët kanë çrregullime të shëndetit mendor. Kjo në një formë bën që të vijnë persona që nuk kanë probleme serioze shëndetësore”, ka deklaruar Gjocaj.

Sipas tij, shërbimet shëndetësore në institucionin përkatës do të ofrohen nga sistemi shëndetësor danez, ndërsa marrëveshja përcakton edhe procedurat për rastet kur të burgosurit kanë nevojë për shërbime që nuk mund të ofrohen në atë institucion.

“Shërbimet shëndetësore në këtë institucion bëhen nga shëndetësia, përkatësisht sistemi shëndetësor i Danimarkës, që i takon Ministrisë së Drejtësisë. Dhe, në paragrafin e parë të traktatit, në nenin 19, thuhet se të gjithë personat që kanë nevojë shëndetësore kthehen në vendin dërgues apo në Danimarkë. Domethënë, kjo e rregullon që shërbimet që nuk mund të kryhen në këtë institucion kthehen në Danimarkë”, ka thënë ai.

Gjocaj ka pranuar se organizimi i trajtimit shëndetësor për të burgosurit e transferuar nga Danimarka paraqet sfida praktike, veçanërisht kur bëhet fjalë për rastet urgjente dhe transferimet jashtë Kosovës.

“Nuk është njëjtë sikur me çuar dikë me u trajtuar prej burgut në Gjilan, sikur me e kthy në Danimarkë. Ka vështirësi, ka probleme, por edhe për këtë jemi përpjekur që të gjejmë zgjidhje”, ka deklaruar Gjocaj.

Ai ka bërë të ditur se është propozuar që rastet urgjente dhe ato që mund të trajtohen në Spitalin e Gjilanit të marrin shërbimet përkatëse në këtë institucion, njësoj si personat e tjerë të burgosur në Kosovë.

“Dhe ajo që kemi propozuar është që të gjitha rastet të cilat kanë nevojë për shërbime shëndetësore urgjente, ose shërbime shëndetësore që nuk mund të kryhen dhe që mund të kryhen në institucionin apo spitalin e Gjilanit, të shkojnë të trajtohen aty sikurse ndodh me të burgosurit që i kemi në Kosovë ose shtetasit e tjerë”, ka theksuar ai.

Për rastet që kërkojnë trajtim më të specializuar, Gjocaj ka thënë se parashihet dërgimi në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK), ndërsa për shërbimet që nuk mund të ofrohen as në këto institucione, procedurat parashohin kthimin në Danimarkë.

“Ndërsa për nevojat të cilat nuk mund të kryhen në këtë institucion, me urgjencë dërgohen në Qendrën Klinike Universitare. Për të dyja këto institucione, pala daneze, Spitali i Gjilanit dhe QKUK-ja i kanë personat përgjegjës të autorizuar, të cilët kanë bërë një draftmarrëveshje lidhur me mënyrën e komunikimit dhe organizimit të detajuar të këtyre shërbimeve”, ka thënë Gjocaj.

Ai ka bërë të ditur se procedurat dhe mekanizmat e komunikimit ndërmjet institucioneve janë ende në proces të finalizimit dhe se palët po vazhdojnë koordinimin për të përcaktuar mënyrën e funksionimit të shërbimeve.

“Pra, këto janë çështje të cilat janë në proces të rregullimit dhe janë këto ditë, prej hënës drejt së premtes duke u avancuar edhe më tutje, për arsye se së paku çdo të dytën apo të tretën muaj pala daneze vjen këtu dhe kontakton me të gjitha këto shërbime që kanë nevojë t’i bëjnë. Pra, është në proces, çdo gjë duke u detajizuar”, ka deklaruar ai.

Gjocaj ka vlerësuar se konferenca mund të kontribuojë në identifikimin e çështjeve që kërkojnë përmirësim, duke theksuar se rekomandimet mund t’u shërbejnë grupeve punuese që merren me zbatimin e marrëveshjes.

“Kjo konferencë e ka rolin e vet që mund të ndihmojë shumë në çdo aspekt që vërehet.  Çfarëdo rekomandimi që bëhet aty do të kontribuonte te këto grupe punuese që të evitojnë çështje të cilat mund të avancojnë tutje”, ka thënë ai.

Duke folur për rastet kur gjendja shëndetësore e një të burgosuri kërkon trajtim më të gjatë, Gjocaj ka sqaruar se marrëveshja parasheh procedura për transferim në Danimarkë, duke marrë parasysh edhe mundësinë e transportit të sigurt.

“Një person që ka nevojë shëndetësore dhe që kërkon trajtim më shumë se tri ditë, domethënë duhet të transferohet. Vjen, ka nevojë, u pa që gjendja është më serioze, transferohet në Danimarkë. Po ashtu, një person i cili ka nevojë më shumë se tri ditë për gjendjen e tij shëndetësore, por kjo nuk e mundëson ka gjendje që s’mund të transportohen me aeroplan atëherë kjo çështje negociohet dhe vazhdon tutje derisa të krijohen kushtet”, ka shpjeguar ai.

Gjocaj ka përshkruar mënyrën e organizimit institucional të marrëveshjes, duke përmendur ndarjen e përgjegjësive ndërmjet palës kosovare dhe asaj daneze.

“Çka është lehtësuese? Kjo marrëveshje nënkupton që është marrë me qira burgu i Gjilanit, që shërbimet shëndetësore kryhen nga pala daneze, që rojen e bën pala kosovare nën juridiksionin danez, përkatësisht monitorimi bëhet nga guvernatori i Danimarkës”, ka deklaruar Gjocaj.

Drejtoresha ekzekutive e Qendrës Kosovare për Rehabilitimin e të Mbijetuarve të Torturës, Feride Rushiti, ka vlerësuar se, megjithëse Kosova ka avancuar në hartimin e politikave dhe strategjive, sfidat në ofrimin e shërbimeve shëndetësore vazhdojnë të jenë të pranishme si në sistemin korrektues, ashtu edhe në atë publik.

“Ne jemi të vetëdijshëm se Kosova në hartimin e politikave dhe strategjive është shumë e mirë dhe e avancuar. Megjithatë, mendojmë se sfidat e shërbimeve shëndetësore ende ekzistojnë në sistemin korrektues të Kosovës, por edhe në sistemin publik; jo vetëm në sistemet e mbyllura, por edhe në publik ne ballafaqohemi me këto sfida. Prandaj, mendojmë se kjo marrëveshje duhet të debatohet thellë dhe mirë, të diskutohen çështjet që kanë të bëjnë me trajtimin shëndetësor, sepse ne i kemi analizuar pikat me të cilat rregullohet”, ka deklaruar Rushiti.

Rushiti ka përmendur përvojat e transferimeve të të burgosurve ndërmjet Belgjikës dhe Holandës, duke theksuar se dokumentacioni shëndetësor në një gjuhë që nuk kuptohet nga autoritetet pritëse mund të ketë pasoja serioze.

“Na vjen mirë që në periudhën e parë, kur e kemi hapur konferencën, e kemi paraqitur si sfiduese mospërkthimin e dosjeve shëndetësore në gjuhën e vendit recipient. Pra, të burgosurit të cilët janë transferuar nga Belgjika në Holandë, dosjet e tyre kanë qenë në frëngjisht, gjë që ua ka vështirësuar autoriteteve holandeze kuptimin e këtyre dosjeve, dhe si rezultat disa të burgosur kanë përfunduar fatalisht, gjë që ka paraqitur shkelje të të drejtave të njeriut”, ka thënë ajo.

Ajo ka mirëpritur faktin që marrëveshja parasheh përkthimin e dosjeve në gjuhën zyrtare të vendit pranues, por ka kërkuar që kjo të mos mbetet vetëm një procedurë formale, por të sigurohet vazhdimisht dhe të jetë funksionale edhe në situata emergjente.

“Na vjen mirë që këtu thuhet de facto se dosjet do të përkthehen në gjuhën zyrtare të vendit pranues që flet për gjuhën zyrtare të Kosovës, por urojmë dhe shpresojmë, doktor Milazim, që dosjet të jenë të përkthyera në vazhdimësi, sepse në rast se urgjenca nuk i jep hapësirë kohore aty për të përkthyer dosjen dhe për të çuar rastin, qoftë për infarkt, gjendje suicidale apo lëndim tronditës”, ka deklaruar Rushiti.

Sipas saj, përvoja ndërkombëtare duhet të shërbejë si mësim për të shmangur gabimet e mundshme gjatë zbatimit të marrëveshjes në Kosovë.

“Kështu që na vjen mirë që kemi arritur të ndërhyjmë në atë fazë me një standard, të cilin e kemi parë nga praktika e Holandës dhe Norvegjisë se nuk ka funksionuar, që të paktën në Kosovë të trajtohet në kuadër të obligimeve që dalin”, ka thënë ajo.

Rushiti ka ngritur shqetësime edhe për mënyrën se si do të vlerësohen gjendjet shëndetësore të të burgosurve dhe si do të vendoset për trajtimin e tyre, sidomos kur nevojitet transferimi në një institucion tjetër ose kthimi në Danimarkë.

“Pastaj, si organizatë, natyrisht që kemi ngritur edhe shumë çështje të tjera në raport me shërbimet shëndetësore, sepse pavarësisht politikave dhe procedurave këtu thuhet te neni 19 se do të ndërtohen politika, procedura dhe protokolle, megjithatë, mendojmë se ka sfida. Pse sfida? Për faktin se aty lihet një periudhë e trajtimit të burgosurve brenda institucionit danez, po flasim tash për burgun e Gjilanit, e më pas, në rast se rasti si i tillë ka shqetësime madhore shëndetësore, nëse ia mundëson gjendja shëndetësore, transferohet në Danimarkë apo transferohet te institucionet tona për trajtim të mëtejshëm”, ka thënë Rushiti.

Duke folur nga perspektiva e saj si mjeke, ajo ka paralajmëruar se pengesat gjuhësore mund ta vështirësojnë identifikimin e simptomave dhe të nevojave të pacientëve në raste kritike.

“Tash, si bëhet ai vlerësim kur gjuha angleze është menduar gjuhë zyrtare e komunikimit? Nëse të burgosurit nuk e kuptojnë gjuhën angleze, dhe në qoftë se janë në rrethana kritike shëndetësore po flasim si mjeke, jo si juriste qysh kanë me arritur me interpretuar shqetësimet dhe nevojën që e kanë? Qysh kanë me u parë ato protokolle që kanë me arritur me trajtuar një person, i cili në rrethana shumë kritike jetësore duhet me përdorë gjuhën angleze për me komunikuar?”, ka pyetur Rushiti.

Të ngjashme