Protesta për drejtësi për Arlinda Zekajn mbahet sot edhe në Pejë

Prishtinë | 30 Tet 2026 | 07:35 | Nga Ekonomia Online

Përveç Prishtinës, protestë për drejtësi dhe përgjegjësi për rastin e Arlinda Zekajt do të mbahet të premten edhe në qytetin e Pejës.

Protesta është thirrur për orën 12:00 dhe do të mbahet në sheshin “Skënderbe” në Pejë. Pjesëmarrësit pritet të kërkojnë drejtësi për Arlinda Zekajn, e cila u vra nga ish-kunati i saj, pas problemeve me ish-bashkëshortin.

Protestat në Prishtinë janë shoqëruar me kërkesa për përgjegjësi dhe llogaridhënie për vrasjen e Zekajt. Përveç suspendimeve që tashmë kanë ndodhur, qytetarët dhe aktivistet gra kanë kërkuar edhe dorëheqje e shkarkime të zyrtarëve përgjegjës.

Në mesin e kërkesave të protestuesve janë përfshirë edhe dorëheqjet e ministres së Drejtësisë, Donika Gërvalla, dhe ministrit të Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla.

Kuvendi i Kosovës e ka themeluar një komision parlamentar për të hetuar nëse kishte mungesë veprimesh nga institucionet e sigurisë dhe drejtësisë në lidhje me vrasjen e Arlinda Zekajt ditë më parë, ndërkohë që autoritetet i kanë pezulluar 13 zyrtarë që ishin marrë me rastin e saj për dhunë në familje.

Zekaj dyshohet se u vra nga kunati i saj më 25 tetor, ndërsa bashkëshorti i saj po mbahej në ndalim për kanosje ndaj saj. Vrasja e saj, e cila ndodhi pavarësisht thirrjeve të saj të vazhdueshme për mbrojtje, ka nxitur zemërim të madh dhe protesta në vend.

Në një seancë të enjten, Kuvendi e miratoi me 90 vota për, asnjë kundër dhe asnjë abstenim komisionin hetimor me 11 anëtarë, i cili ka për detyrë të zbardhë lëshimet e dyshuara zinxhirore të institucioneve në rastin e 49-vjeçares nga Vitomirica e Pejës.

Komisioni detyrohet që ta përpilojë një raport përfundimtar me gjetjet e hetimit dhe t’ia paraqesë atë Kuvendin brenda një afati prej gjashtë muajve nga data e themelimit. Ky komision buron nga një rezolutë që Kuvendi e miratoi të hënën për hetimin e vrasjes së Zekajt dhe parandalimin e dhunës ndaj grave.

Të ngjashme