IPK publikon gjetjet se si në mënyrë skandaloze Policia në Pejë ka neglizhuar rastin e Arlinda Zekajt para se të vritej

Prishtinë | 29 Tet 2026 | 17:22 | Nga Ekonomia Online

Inspektorati Policor i Kosovës (IPK) përmes një komunikate për media ka bërë të ditur se ka evidentuar një varg shkeljesh në mënyrën se si Policia e Kosovës i ka trajtuar rastet e raportuara nga e ndjera Arlinda Zekaj, përfshirë moszbatimin e një urdhri mbrojtës, vonesën në ekzekutimin e një urdhri tjetër dhe mosveprimin e zinxhirit komandues ndaj kërkesave për vlerësimin e rastit.

Bazuar në gjetjet preliminare, IPK-ja i ka rekomanduar Policisë së Kosovës suspendimin e 11 zyrtarëve policorë, rekomandim të cilin Policia e ka zbatuar. Sipas njoftimit të IPK-së, një nga shkeljet e evidentuara është se nuk dokumentohet që Policia e Kosovës e ka ekzekutuar urdhrin mbrojtës të 7 shtatorit 2026, me numër C.11r.1300/26.

Po ashtu, urdhri i dytë mbrojtës, i datës 16 tetor 2026, është ekzekutuar gjashtë ditë me vonesë, më 22 tetor. Sipas IPK-së, kjo ka ndodhur pas veprimeve zyrtare të ndërmarra nga Inspektorati, i cili fillimisht kishte pranuar informatë nga vetë Zekaj.

Një tjetër gjetje lidhet me mosshqyrtimin nga zinxhiri komandues të një emaili të 23 tetorit 2026, të dërguar nga një hetues policor, i cili kishte kërkuar vlerësim të rastit dhe asistencë shtesë.

Hetuesi kishte propozuar që, gjatë kohës kur Zekaj ndodhej në shtëpi, ajo të vizitohej nga patrulla të uniformuara dhe të kishte komunikim më të shpeshtë me policinë, me qëllim të evidentimit të situatës brenda shtëpisë. Sipas IPK-së, kjo kërkesë nuk është trajtuar nga zinxhiri komandues.

Inspektorati ka evidentuar gjithashtu dështime në trajtimin e rastit të dhunës në familje, vlerësimin e nivelit të rrezikut dhe ekzekutimin e vendimeve të gjykatës kompetente.

Përgjegjësitë e evidentuara përfshijnë disa nivele të Policisë në Pejë, përkatësisht Drejtorinë Rajonale të Policisë, Stacionin Policor në Pejë, Nënstacionin Policor në Vitomiricë, si dhe njësitë e hetimeve në nivel rajonal dhe në nivel stacioni.

Në bazë të këtyre gjetjeve, Policia e Kosovës ka suspenduar 11 zyrtarë, përfshirë ushtruesin e detyrës së drejtorit rajonal në Pejë, shefin e Hetimeve Rajonale, komandantin dhe zëvendëskomandantin e Stacionit Policor në Pejë, shefin e Sektorit të Hetimeve, ushtruesin e detyrës së shefit të Sektorit të Operativës, komandantin e Nënstacionit në Vitomiricë dhe katër hetues policorë të Stacionit Policor në Pejë.

IPK-ja ka bërë të ditur se hetimet po vazhdojnë me autorizimin e Prokurorisë së Shtetit, me qëllim të shqyrtimit të plotë të veprimeve dhe procedurave të ndjekura nga zyrtarët policorë gjatë trajtimit të raportimeve të Zekajt.

Inspektorati ka theksuar se procesi do të zhvillohet në koordinim me institucionet kompetente të drejtësisë, duke respektuar ligjshmërinë, prezumimin e pafajësisë dhe integritetin e hetimeve.

Të ngjashme