Janë mësuar emrat e 11 zyrtarëve policorë që janë suspenduar, në mesin e të cilëve janë drejtori rajonal i Policisë në Pejë, Agron Hasanaj, si dhe zyrtarë të tjerë me pozita drejtuese në këtë rajon.
Sipas informacioneve të siguruara, në mesin e të suspenduarve janë edhe Ndue Nikolla, major dhe shef i Hetimeve Rajonale, Faik Jahmurataj, kapiten dhe komandant i Stacionit Policor në Pejë, si dhe Dervish Hasanaj, zëvendëskomandant në këtë stacion.
Po ashtu, është suspenduar Sami Lekaj, komandant i Nënstacionit Policor në Vitomiricë, si dhe Faruk Muçolli, shef i Hetimeve në Stacionin Policor në Pejë, shkruan Insajderi.
Në listën e të suspenduarve janë edhe shefi i Operativës në Stacionin Policor në Pejë dhe katër hetues të Njësisë për Dhunën në Familje, po në këtë stacion.
Sipas IPK-së, suspendimet janë bërë në interes të hetimeve të pavarura, llogaridhënies institucionale dhe përgjegjësive individuale, në trajtimin e rastit. Policia e Kosovës mbetet e përkushtuar në ruajtjen e vlerave, integritetit dhe shërbimit në mënyrë të drejtë e të paanshme, si dhe do të bashkëpunojë ngushtë me të gjitha institucionet relevante.
Suspendimet janë bërë të ditura përmes njoftimit të Policisë së Kosovës.
Rasti mori vëmendje të madhe pas publikimit të një audio-incizimi të bisedës mes Arlinda Zekajt dhe togerit policor Faruk Muçolli.
Në incizim dëgjohet Zekaj duke kërkuar zbatimin e urdhrit për mbrojtje, ndërsa polici dëgjohet duke i thënë: “Edhe na jemi lodhë”.
Zekaj ishte vrarë nga ish-kunati, Albert Sylaj pak minuta pasi ishte kthyer në shtëpinë e saj, e shoqëruar nga policia.
Për rastin, institucionet kanë nisur hetime për të sqaruar veprimet e ndërmarra para vrasjes dhe përgjegjësitë eventuale të zyrtarëve.