Oda Amerikane: Investimet në sektorin minerar kërkojnë institucione funksionale dhe krijim të vlerës së shtuar në vend

Prishtinë | 31 Tet 2026 | 10:54 | Nga Ekonomia Online

Sektori minerar dhe lëndët e para kritike paraqesin potencial të rëndësishëm për zhvillimin ekonomik të Kosovës, tërheqjen e investimeve amerikane dhe ndërkombëtare, si dhe integrimin e vendit në zinxhirët globalë të furnizimit.

Kjo u tha gjatë diskutimit me temën “Sektori minerar dhe lëndët e para kritike në Kosovë: Mundësitë e investimeve për bizneset amerikane”, të organizuar nga Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë në bashkëpunim me Komitetin e Grave në Energji dhe Miniera.

Në hapje të forumit, Shqipe Vela, Udhëheqëse e Komitetit të Grave në Energji dhe Miniera, theksoi se pasuritë natyrore të Kosovës përbëjnë një mundësi të rëndësishme për zhvillim industrial, krijim të vendeve të punës dhe rritje të konkurrueshmërisë ekonomike. Ajo nënvizoi se realizimi i këtij potenciali kërkon një kuadër të qartë ligjor, politika të qëndrueshme dhe një strategji afatgjatë për sektorin. Vela theksoi gjithashtu rëndësinë e bashkëpunimit ndërmjet institucioneve arsimore dhe bizneseve për zhvillimin e fuqisë punëtore të kualifikuar, si dhe rolin e investitorëve vendorë dhe ndërkombëtarë në modernizimin e industrisë.

Arben Mustafa, Kryetar i Komisionit për Ekonomi, Industri, Ndërmarrësi, Tregti dhe Inovacion në Kuvendin e Kosovës, theksoi se kërkesa globale për burime të sigurta të lëndëve të para krijon mundësi të reja për Kosovën. Sipas tij, shndërrimi i potencialit minerar në investime konkrete kërkon institucione funksionale, transparencë në vendimmarrje dhe eliminim të pengesave burokratike. Ai shprehu përkushtimin për rishikimin e legjislacionit dhe adresimin e barrierave për investime, duke theksuar se investitorët amerikanë mund të kontribuojnë me kapital, teknologji, ekspertizë dhe qasje në tregjet ndërkombëtare.

Zëvendësministrja e Ekonomisë, Triera Kasumi Berisha, theksoi se zhvillimi i sektorit minerar duhet të fuqizojë industrinë vendore dhe të krijojë mundësi më të mëdha për përpunimin e lëndëve të para brenda Kosovës. Ajo veçoi ndërmarrjen Trepça si aset strategjik, modernizimi dhe përmirësimi i menaxhimit të së cilës janë të rëndësishëm për rritjen e kapaciteteve prodhuese dhe qëndrueshmërinë afatgjatë. Zëvendësministrja bëri të ditur se Ministria synon avancimin e vlerësimit të pasurive minerale, shqyrtimin e mundësive për gazifikimin e qymyrit mbi baza të fizibilitetit ekonomik, teknologjik dhe mjedisor, si dhe hartimin e një strategjie të re minerare të mbështetur në të dhëna të besueshme gjeologjike.

Duke folur në emër të sektorit privat, Mentor Demi, përfaqësues i kompanisë Western Tethyan Resources dhe Kryesues i Odës së Minierave të Kosovës, theksoi se sektori minerar nuk po merr vëmendjen e merituar në diskutimet për zhvillimin ekonomik, ndonëse mineralet dhe lëndët e para përbëjnë bazën e tranzicionit energjetik dhe zhvillimit të teknologjive të reja. Ai vlerësoi se në Kosovë ende mungon një kuptim i plotë i rëndësisë strategjike të këtij sektori dhe i natyrës afatgjatë të investimeve minerare. Duke rikujtuar se zhvillimi i një projekti minerar mund të zgjasë mesatarisht deri në njëzet vjet, Demi theksoi nevojën që politikat dhe vendimmarrja institucionale të tejkalojnë ciklet afatshkurtra dhe të sigurojnë vazhdimësi e parashikueshmëri për investitorët. Demi ngriti shqetësime konkrete lidhur me funksionimin e institucioneve rregullatore, veçanërisht Komisionit të Pavarur për Miniera dhe Minerale, duke theksuar se vonesat dhe mungesa e vendimmarrjes po pengojnë zhvillimin e projekteve private minerare. Ai përmendi raste të investitorëve ndërkombëtarë që, pavarësisht investimeve milionëshe në aktivitete eksploruese në Kosovë, janë përballur me bllokim të projekteve për shkak të mosveprimit institucional. Sipas tij, ndonëse Kosova ka një kornizë ligjore përgjithësisht të favorshme dhe atraktive për investitorët e huaj, zbatimi i saj dhe llogaridhënia institucionale mbeten sfida serioze. Ai kërkoi funksionalizim të plotë të mekanizmave rregullatorë dhe trajtim më të balancuar të sektorit minerar, duke i kushtuar vëmendje jo vetëm ndërmarrjeve publike, por edhe potencialit të investimeve dhe projekteve të sektorit privat.

Duke folur për rolin e akademisë, Nurten Deva, Rektore e Universitetit të Mitrovicës, theksoi se pasuritë minerare të Kosovës duhet të shoqërohen me zhvillimin e kapaciteteve përpunuese, teknologjive moderne dhe vlerësimin e ndikimeve ekonomike e mjedisore. Ajo nënvizoi se bashkëpunimi më i ngushtë ndërmjet universiteteve, institucioneve publike dhe kompanive private është i domosdoshëm për shfrytëzimin efikas të burimeve minerare. Sipas saj, përfshirja më e madhe e akademisë dhe mbështetja për kërkimin shkencor do të kontribuonin në zhvillimin e qëndrueshëm të industrisë.

Ky forum i organizuar nga Oda Ekonomike Amerikane theksoi rëndësinë e një qasjeje të koordinuar ndërmjet institucioneve, sektorit privat dhe akademisë për krijimin e një industrie minerare konkurruese dhe të qëndrueshme.

Të ngjashme