Sot shënohet ditëlindja e heroit të kombit Zahir Pajaziti, organizohen aktivitete përkujtimore

Prishtinë | 01 Nën 2026 | 08:16 | Nga Ekonomia Online

Sot shënohet ditëlindja e heroit të kombit, Zahir Pajaziti, me ç’rast do të organizohen disa aktivitete përkujtimore në nderim të jetës dhe veprës së tij.

Zahir Pajaziti u lind më 1 nëntor 1962, në fshatin Turuçicë të Podujevës. Ai ishte njëri ndër themeluesit dhe komandantët e parë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), si dhe një nga figurat kryesore të organizimit të rezistencës së armatosur në Kosovë. I njohur për angazhimin e tij atdhetar dhe kontributin në luftën për liri, Pajaziti ra dëshmor më 31 janar 1997, në Pestovë të Vushtrrisë, së bashku me bashkëluftëtarët Hakif Zejnullahu dhe Edmond Hoxha. Për kontributin e tij në çështjen kombëtare, ai u shpall Hero i Kosovës.

Me këtë rast, Komuna e Podujevës, në bashkëpunim me shoqatat e dala nga lufta e UÇK-së, nga ora 10:45 do të organizojë ceremoni përkujtimore në Kompleksin Memorial “Zahir Pajaziti”, në Orllan.

Ndërkaq, ish-kryetari i Aleancës, Ramush Haradinaj, do të bëjë homazhe në orën 11:00 pranë shtatores së Zahir Pajazitit në Prishtinë.

Të ngjashme