ShQK ngre alarmin për mashtrimin me produkte të qumështit: Kërkon zbatimin e ndalimit të vajit të palmës

Prishtinë | 01 Nën 2026 | 14:20 | Nga Ekonomia Online

Shoqata e Qumështoreve të Kosovës ka ngritur shqetësimin për vazhdimin e shitjes së produkteve me përmbajtje të vajit të palmës, të cilat, sipas saj, tregtohen në treg si produkte të qumështit, veçanërisht si gjizë. Shoqata kërkon nga institucionet përgjegjëse zbatim të plotë të vendimit për ndalimin e vajit të palmës në përpunimin e qumështit.

Në një reagim publik, Shoqata e Qumështoreve të Kosovës ka paralajmëruar se një numër i madh i lokaleve të gastronomisë, veçanërisht furrat e bukës dhe byrektoret, po rrezikojnë të bëhen pjesë e një zinxhiri mashtrues, duke blerë produkte me origjinë dhe përbërje të paqartë.

Sipas shoqatës, produkte që përmbajnë vaj palme po shiten si produkte të qumështit, ndërsa shqetësues është edhe fakti se, sipas informacioneve që ajo thotë se posedon, disa furnizues pretendohet se po i udhëzojnë bizneset se si të veprojnë në rast të inspektimeve, duke deklaruar se produktet i kanë blerë nga fermerë individualë.

Shoqata ngre pikëpyetje për mënyrën se si këto aktivitete po vazhdojnë pavarësisht vendimit shtetëror që ndalon përdorimin e vajit të palmës në përpunimin e qumështit, duke kërkuar përgjegjësi dhe mbikëqyrje më të madhe nga institucionet kompetente.

Në reagimin e saj, shoqata thekson se kërkesa për ndalimin e vajit të palmës në industrinë e përpunimit të qumështit mbështetet në tri çështje kryesore:

  1. Mbrojtja e shëndetit publik.
  2. Mbrojtja e fermave dhe prodhimit vendor të qumështit.
  3. Parandalimi i dëmeve financiare për sektorin privat dhe atë publik.

Sipas Shoqatës së Qumështoreve, moszbatimi i plotë i vendimit po krijon hapësirë për konkurrencë të pandershme dhe po dëmton zhvillimin e industrisë vendore të qumështit.

Një tjetër shqetësim i ngritur nga shoqata lidhet me gjendjen financiare të fermerëve vendorë. Sipas saj, një numër i madh i fermerëve vazhdojnë të përballen me vështirësi për shkak të borxheve të papaguara nga disa përpunues të qumështit.

Shoqata bën të ditur se në disa raste vonesat për pagesën e qumështit të dorëzuar kanë arritur deri në shtatë muaj, duke vënë në rrezik vazhdimësinë e aktivitetit të shumë fermave.

Ajo thekson se fermerët kanë përmbushur obligimet e tyre kontraktuale duke prodhuar dhe dorëzuar qumështin, por nuk kanë marrë pagesat në kohën e duhur.

Përballë kësaj situate, Shoqata e Qumështoreve të Kosovës kërkon ndërhyrje konkrete dhe të koordinuar institucionale përmes tri masave:

  • Zbatimin e plotë dhe pa përjashtime të vendimit për ndalimin e vajit të palmës.
  • Shlyerjen e menjëhershme të borxheve për qumështin e blerë nga fermerët vendorë.
  • Ndarjen e fondeve për zhvillimin e industrisë së qumështit, me mbështetje të veçantë për përpunuesit që investojnë në prodhimin vendor dhe nuk përdorin vaj palme për të mashtruar konsumatorët.

Në fund të reagimit, shoqata u ka bërë thirrje të gjitha byrektoreve dhe bizneseve të gastronomisë që të tregojnë kujdes gjatë furnizimit me produkte që shiten si produkte të qumështit.

Ajo kërkon që bizneset të verifikojnë dokumentacionin, prejardhjen dhe përbërjen e produkteve, duke mos u mbështetur vetëm në deklaratat e furnitorëve.

Sipas shoqatës, pranimi i produkteve me origjinë të paqartë mund të dëmtojë jo vetëm reputacionin dhe besimin e klientëve ndaj bizneseve, por edhe fermerët vendorë dhe të gjithë industrinë e qumështit.

“Mos u bëni vegël e mashtrimit të të tjerëve! Mbroni biznesin tuaj, konsumatorin dhe prodhimin vendor!”, thuhet në thirrjen përmbyllëse të Shoqatës së Qumështoreve të Kosovës.

Të ngjashme