Kryetari i komunës së Prishtinës, Përparim Rama dhe Ramush Haradinaj nga Aleanca, kanë bërë homazhe te varrezat e dëshmorëve në lagjen Velania në Prishtinë me rastin e 37-vjetorit të rënies së heronjve të kombit Afrim Zhitia dhe Fahri Fazliu, raporton Ekonomia Online.
Kryetari, Rama derisa përkujtoi veprën e heronjve Afrim Zhitia e Fahri Fazliu, tha se të njëjtit kanë dhënë çdo gjë për vendin, lirinë dhe shtetin.
“Jemi bërë të gjithë bashkë në kryeqytet nga të gjitha trojet për të nderuar njerëz të mëdhenj që kanë dhënë çdo gjë për vendin tonë, për lirinë tonë, për shtetin, për Republikën, për demokracinë. Falënderoj familjarët që janë gjithmonë bashkë këtu me neve dhe për sakrificën që kanë dhënë për këtë vend nëpërmjet të dashurve të tyre, Afrimin e Fahriun, lavdi dëshmorë, qofshim së bashku gjithmonë”, tha ai.
Edhe Ramush Haradinaj, ish-pjesëtar i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) dhe përfaqësues i Aleancës, ka kujtuar heronjtë Afrim Zhitia e Fahri Fazliu.
“Një rënie e hershme që paralajmëroi luftën për liri, që paralajmëroi UÇK-në dhe çlirimin e Kosovës. Do të jetë një brez i artë dhe do ti nderojmë përjetë, do t’i kujtojmë përjetë. Lavdi!”, tha ai.
Afrim Zhitia dhe Fahri Fazliu ranë heroikisht më 2 nëntor 1989, pas një përballjeje të pabarabartë me forcat serbe në Bregun e Diellit në Prishtinë, duke hyrë përgjithmonë në historinë e lirisë së Kosovës.
