Kurti bashkë me presidenten bëjnë homazhe në 37-vjetorin e rënies së Afrim Zhitisë dhe Fahri Fazliut

Prishtinë | 02 Nën 2026 | 15:07 | Nga Ekonomia Online

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti bashkë me presidentin Justina Shiroka-Pula kanë bërë homazhe te varret e Afrim Zhitisë dhe të Fahri Fazliut, të cilët para 37 vjetëve ranë heroikisht në ballafaqim të armatosur e të pabarabartë me forcat e shtetit serbo-jugosllav.

Kurti, përmes një postimi në profilin e tij në rrjetin social Facebook, ka shkruar se Zhitia dhe Fazliu, punuan, luftuan e u angazhuan për çlirimin e Kosovës, për lirinë e popullit dhe për bashkimin e përparimin e tij.

Postimi i plotë:

Bashkë me Presidenten e Republikës së Kosovës, zonjën Justina Shiroka Pula, vendosëm lule të freskëta dhe bëmë homazhe te varret e Afrim Zhitisë dhe të Fahri Fazliut, të cilët para 37 vjetëve ranë heroikisht në ballafaqim të armatosur e të pabarabartë me forcat e shtetit serbo-jugosllav.

Në vitin 1989 i kishim Afrimin e Fahriun, e pesë vjet para tyre, në mes të viteve të 80-ta, e kishim Rexhep Malën e Nuhi Berishën. Ishin këto përballje në të cilat rënia heroike e veprimtarëve intelektualë dhe patriotëve idealistë, bëhej ngritje e vetëdijes dhe e organizimit të shqiptarëve. Ishte kjo dekada kur shqiptarët nën ish-Jugosllavi, përbënin 1/8 e popullsisë së gjithmbarshme, por rreth 80 për qind të të gjithë ish të burgosurve politikë ishin shqiptarë.

Afrimi e Fahriu, edhe punuan edhe luftuan, u angazhuan e kontribuuan, për çlirimin e Kosovës, për lirinë e popullit dhe për bashkimin e përparimin e tij. Ata tani prehen të qetë së bashku me heronjtë tanë të tjerë, Ilir Konushevcin, doktor Hazir Malën, Agron Rrahmanin, Bahri Fazliun, e në mes të gjithë këtyre, simboli i qëndresës shqiptare, Bacë Adem Demaçi.

Duke lartësuar Republikën dhe kombin tonë, duke mbrojtur integritetin territorial, duke ruajtur sovranitetin shtetëror, duke rritur ekonominë dhe forcuar ushtrinë, duke ju shërbyer qytetarëve e shoqërisë, ne ju përmbahemi idealeve të dëshmorëve të kombit.

Lavdi!

Të ngjashme