ShQK ngre shqetësimin për përdorimin e yndyrës së palmës në furra dhe byrektore

Prishtinë | 02 Nën 2026 | 16:14 | Nga Ekonomia Online

Shoqata e Qumështorëve të Kosovës (SHQK) ka ngritur shqetësimin për përdorimin e mundshëm të yndyrës së palmës në produktet që shiten në furra dhe byrektore në Kosovë, duke kërkuar verifikimin e kësaj dukurie nga institucionet përgjegjëse.

Përmes një postimi publik, SHQK ka shtruar pyetjen nëse mijëra konsumatorë në Kosovë po konsumojnë çdo ditë produkte të përgatitura me yndyrë palme, në vend të gjizës së mirëfilltë të qumështit, pa qenë të informuar për përbërjen e tyre.

Sipas Shoqatës, nëse kjo praktikë është e përhapur, atëherë mund të bëhet fjalë për mashtrim të konsumatorëve dhe cenim të konkurrencës së ndershme në treg.

SHQK u ka bërë thirrje pronarëve dhe përgjegjësve të furrave dhe byrektoreve që të informojnë saktë konsumatorët për përbërjen e produkteve që tregtojnë.

Shoqata ka kërkuar që kjo çështje të verifikohet sa më shpejt, me qëllim mbrojtjen e konsumatorëve dhe garantimin e transparencës në treg.

Në fund të reagimit, Shoqata e Qumështorëve të Kosovës ka theksuar se konsumatorët kanë të drejtë të informohen se çfarë po konsumojnë, duke e përmbyllur me mesazhin: “Konsumatori ka të drejtë ta dijë çfarë po konsumon!”

Të ngjashme