IQMT aksion kundër parregullsive në shitjet online, kryhen 23 inspektime brenda një dite

Prishtinë | 02 Nën 2026 | 18:10 | Nga Ekonomia Online

Inspektorati Qendror i Mbikëqyrjes së Tregut (IQMT), në bashkëpunim me Policinë e Kosovës, Administratën Tatimore të Kosovës (ATK) dhe Autoritetin Rregullativ të Komunikimeve Elektronike dhe Postare (ARKEP), ka nisur një aksion të përbashkët për mbikëqyrjen e produkteve që tregtohen përmes platformave online.

Sipas njoftimit, aksioni është përqendruar në inspektimin e produkteve që transportohen drejt konsumatorëve përmes shërbimeve postare, me fokus në verifikimin e ligjshmërisë së veprimtarisë së bizneseve që ushtrojnë shitjen online.

Gjatë inspektimeve po verifikohet nëse bizneset janë të regjistruara në Agjencinë për Regjistrimin e Bizneseve të Kosovës (ARBK), nëse për produktet e shitura lëshohen kuponë fiskalë, si dhe nëse produktet kanë deklaracionin përkatës të prejardhjes dhe dokumentacionin e kërkuar ligjor.

Në kuadër të këtij aksioni, gjatë ditës së sotme janë angazhuar 11 ekipe inspektuese, të cilat kanë vepruar në tetë komunat kryesore të Kosovës.

“ Sipas rezultateve preliminare, gjatë ditës së sotme janë realizuar gjithsej 23 inspektime, prej të cilave gjashtë lëndë janë përfunduar, ndërsa 17 lëndë mbeten në procedurë”, thuhet në njoftim.

IQMT ka bërë të ditur se aktivitetet e tilla do të vazhdojnë edhe në bashkëpunim me institucionet partnere.

“Inspektorati Qendror i Mbikëqyrjes së Tregut, në bashkëpunim me institucionet partnere, do të vazhdojë aktivitetet e tilla me qëllim të garantimit të konkurrencës së drejtë, mbrojtjes së konsumatorëve, parandalimit të praktikave të paligjshme tregtare dhe sigurimit të zbatimit të legjislacionit në fuqi”, thuhet tutje në njoftim.

Të ngjashme