Së paku shtatë emigrantë vdiqën afër Ishujve Kanari, ndërsa më shumë se 380 të tjerë u shpëtuan të hënën, thanë shërbimet e shpëtimit detar në Spanjë.
Dy të vdekur u gjetën në një barkë emigrantësh, kur roja bregdetare shpëtoi 132 njerëz të hënën, 150 kilometra larg Ishullit Lanzarote. Gjatë lundrimit të njëjtë, pesë emigrantë të tjerë kishin vdekur dhe ishin hedhur në det, shtuan autoritetet.
250 emigrantë të tjerë u shpëtuan nga barkat e rojës bregdetare afër ishujve Lanzarote dhe El Hierro më herët të hënën, thanë autoritetet. Të dielën, 107 emigrantë u shpëtuan afër Ishullit El Hierro, sipas autoriteteve, raporton agjencia e lajmeve “Reuters”.
“Parashikimet më të këqija po bëhen të vërteta. Rruga e Atlantikut edhe një herë po merr jetë, kësaj radhe afër bregdetit të Lanzarotes. Pas secilit është një jetë, një tregim dhe një familje” – shkroi në rrjetin X presidenti i Ishujve Kanari, Fernando Clavijo.Reklamë.
Rruga e Atlantikut, nga Afrika Perëndimore deri tek Ishujt Kanari është njëra nga rrugët më vdekjeprurëse të emigrimit në botë. Mijëra emigrantë e provojnë këtë rrugë çdo vit në barka të stërngarkuara, me synimin që të arrijnë në territorin spanjoll pavarësisht oqeanit me valë të ashpra, rrymave të forta ujore dhe largësisë së madhe.
Të ardhurit zakonisht shtohen në muajt e vjeshtës, kur kushtet në det përgjatë rrugës ujore janë përgjithësisht më të mira dhe më të favorshme për lundrim.
Numri i emigrantëve deri më tani këtë vit ka shënuar rënie në krahasim me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar, por lundrimet u shtuan ndjeshëm në tetor, duke e rritur trysninë ndaj shërbimeve të pranimit dhe emergjencës në Ishujt Kanari, sidomos në ishujt që janë më të vegjël dhe që kanë dendësi më të vogël të popullsisë.