Barcelona pritet të përballet me kushte të pafavorshme atmosferike në ndeshjen e së martës ndaj Aston Villës në Ligën e Kampionëve, pasi parashikimet meteorologjike paralajmërojnë reshje shiu dhe rënie të ndjeshme të temperaturave në kryeqytetin katalanas.
Sipas raportimit të mediumit spanjoll SPORT, reshjet e shiut pritet të jenë të pranishme edhe në momentin e fillimit të ndeshjes, me rreth 2.3 milimetra reshje të parashikuara.

Megjithatë, orët me intensitetin më të lartë të reshjeve, të paralajmëruara nga Shërbimi Meteorologjik i Katalonjës (Meteocat), pritet të kenë kaluar deri në orët e vona të pasdites.
Përfaqësuesit e Barcelonës, përmes departamentit të logjistikës, tashmë kanë njoftuar mediat për kushtet atmosferike dhe kanë rekomanduar që tifozët të vishen sa më ngrohtë për të përballuar temperaturat që pritet të jenë rreth 13 gradë Celsius.
Gjithashtu, parashikohen edhe erëra me shpejtësi deri në 14 kilometra në orë.
Megjithatë, gjendja e fushës nuk përbën shqetësim për organizatorët, pasi sistemi i drenazhimit në stadiumin “Spotify Camp Nou” ka dëshmuar se mund të përballojë reshjet e dendura të shiut.

Kushtet e vështira atmosferike janë shndërruar në një fenomen të përsëritur gjatë ndeshjeve të rëndësishme të Barcelonës këtë sezon.
Reshje të ngjashme pati edhe në fitoren 5-1 ndaj Feyenoordit, kur moti i keq ndikoi në numrin e tifozëve të pranishëm në stadium.
Po ashtu, shiu i rrëmbyeshëm ishte i pranishëm edhe në fitoren 7-2 ndaj Racing Santanderit, takim që u ndoq nga 45.838 spektatorë.
Probleme të ngjashme pati edhe në El Clasicon e femrave mes Barcelonës dhe Real Madridit, ku për shkak të kushteve të rënda atmosferike, fillimi i ndeshjes u shty për dy orë. /Telegrafi/