Një ngjarje e rëndë ka tronditur komunitetin shqiptar në Itali, ku një 21-vjeçar dyshohet se ka vrarë me thikë nënën e tij 39-vjeçare në banesën e tyre në qytetin Chiari, në provincën e Breshias.
Sipas gazetës italiane “Corriere della Sera”, viktima është Meleqe Lusha, ndërsa i dyshuari është djali i saj. Familja ishte me origjinë shqiptare.
Ngjarja dyshohet se ka ndodhur gjatë natës mes 2 dhe 3 nëntorit. Pas krimit, i riu është larguar nga banesa, për t’u paraqitur më pas vetë në stacionin e Karabinierëve në Kremona, ku, sipas mediave italiane, ka pranuar vrasjen.
39-vjeçarja e kishte rritur të birin e vetme, me mbështetjen e vëllezërve të saj. Ata jetonin prej vitesh në Chiari dhe në muajin gusht ishin vendosur në banesën e re.
Sipas mediave lokale, 21-vjeçari kishte ndjekur shkollën në këtë qytet dhe punonte në një fabrikë të zonës.
Dennis Beqiri, kryetar i shoqatës së shqiptarëve në Chiari, ka shprehur tronditjen e komunitetit, duke e përshkruar të riun si të sjellshëm, serioz dhe të respektuar.
“Jemi të tronditur. Nuk i dimë arsyet e këtij veprimi dhe nuk arrijmë ta kuptojmë”, është shprehur ai.
Edhe kryetari i qytetit Chiari, Gabriele Zotti, ka shprehur solidaritetin me familjen e viktimës.
Ndërkohë, autoritetet italiane po vazhdojnë hetimet për të zbardhur motivin dhe rrethanat e plota të kësaj ngjarjeje të rëndë.