Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka pritur në takim guvernatorin e Bankës Qendrore të Kosovës (BQK), Ahmet Ismaili, me të cilin ka diskutuar për procesin e anëtarësimit të Kosovës në Zonën e Vetme të Pagesave në Euro (SEPA) dhe reformat në sektorin financiar.
Sipas njoftimit të Kryeministrisë, në takim është diskutuar për finalizimin e aplikimit të Kosovës për anëtarësim në SEPA dhe dorëzimin formal të tij te Këshilli Evropian i Pagesave (EPC), pas hyrjes në fuqi të Ligjit për Parandalimin e Pastrimit të Parave dhe Luftimin e Financimit të Terrorizmit.
Gjatë takimit, Kurti është informuar nga guvernatori Ismaili për gjendjen e sektorit financiar, i cili është vlerësuar si stabil, si dhe për qëndrueshmërinë financiare të Bankës Qendrore të Kosovës.
Po ashtu, është diskutuar për reformat që synojnë forcimin e mbikëqyrjes financiare, modernizimin e infrastrukturës financiare dhe përafrimin e kornizës rregullative me standardet e Bashkimit Evropian.
Një tjetër temë e diskutimit ishte zhvillimi i sistemit të pagesave të shpejta, TIPS Clone, i cili, së bashku me anëtarësimin në SEPA, pritet të ndikojë në uljen e kostove të transaksioneve dhe rritjen e efikasitetit të pagesave.
Në njoftim thuhet se gjatë takimit është theksuar rëndësia e bashkërendimit institucional për zbatimin e reformave dhe përmbushjen e angazhimeve të Kosovës në kuadër të Planit të Rritjes.
“Kryeministri Kurti dhe Guvernatori Ismaili shprehën vullnetin për vazhdimin e bashkëpunimit me synim përmbushjen e prioriteteve strategjike për qëndrueshmëri financiare, modernizim të sektorit dhe përparim në integrimin evropian, duke respektuar mandatin dhe pavarësinë e Bankës Qendrore të Kosovës”, thuhet në njoftim.