Raporti i BE-së: Kosova s’ka shënuar progres në fushën e kontrollit financiar, rekomandimet e vitit të kaluar s’u adresuan

Prishtinë | 04 Nën 2026 | 14:38 | Nga Ekonomia Online

Kosova nuk ka shënuar ndonjë progres në fushën e kontrollit financiar, thotë raporti i Bashkimit Europian për vendin.

Raporti i këtij viti thekson se rekomandimet nga viti i kaluar të Komisionit Europian nuk janë adresuar në vitin 2026.

“Rekomandimet e Komisionit nga viti i kaluar nuk janë adresuar dhe mbeten të vlefshme”, thuhet në raport.

Gjatë vitit të ardhshëm, raporti thotë se Kosova duhet veçanërisht të:

Miratojë legjislacion të ri për menaxhimin e financave publike, duke forcuar kontrollin e brendshëm financiar publik, për auditimin e jashtëm dhe për mbrojtjen e interesave financiare të BE-së dhe euros, si dhe të sigurojë kapacitete administrative në të gjithë sistemin e menaxhimit të financave publike për zbatimin e tij;

Forcojë llogaridhënien menaxheriale të përdoruesve të buxhetit, si në nivelin qendror ashtu edhe në atë lokal, mbi bazën e vlerësimit të qëndrueshëm të performancës së sistemeve të menaxhimit dhe kontrollit;

Përmirësojë zbatimin e rekomandimeve të Zyrës Kombëtare të Auditimit (ZKA), për të siguruar zbatimin efektiv të tyre dhe për të forcuar mbikëqyrjen parlamentare.

Të ngjashme