Kuvendi mblidhet të enjten, në shqyrtim tri projektligje

Prishtinë | 04 Nën 2026 | 16:25 | Nga Ekonomia Online

Kuvendi i Kosovës do të mbajë seancë plenare të enjten, më 5 nëntor, duke filluar nga ora 12:00.

Në rendin e ditës janë paraparë disa pika, përfshirë shqyrtimin e parë të tri projektligjeve që lidhen me menaxhimin e emergjencave, regjistrimin e bujqësisë dhe inspektoratin e bujqësisë, sigurisë ushqimore, veterinarisë dhe pylltarisë.

Deputetët do të shqyrtojnë gjithashtu propozimet e grupeve parlamentare për zëvendësimin dhe emërimin e deputetëve në komisionet parlamentare, si dhe miratimin e fushëveprimit të komisioneve për Legjislaturën XI.

Në këtë seancë do të shqyrtohet edhe Raporti i Auditorit të Përgjithshëm për Raportin Vjetor të Auditimit të Buxhetit të Republikës së Kosovës për vitin 2025.

Seanca do të nisë me miratimin e procesverbalit nga seanca e mëparshme, deklarimet jashtë rendit të ditës dhe pyetjet parlamentare.

Të ngjashme