Jakup Krasniqi zhvillon vizitën e fundit me familjen para kthimit në Hagë

Prishtinë | 21 Nën 2026 | 09:41 | Nga Ekonomia Online

Ish-kryetari i Kuvendit të Kosovës, Jakup Krasniqi, sot ka zhvilluar vizitën e fundit me familjen në Kosovë, para kthimit në Hagë, raporton Ekonomia Online.

Pas qëndrimit katërditor në Kosovë, Krasniqi pritet të largohet nga shtëpia e tij në lagjen Velania të Prishtinës rreth orës 14:00, ndërsa kthimi i tij në Hagë, me aeroplan special, është paraparë të bëhet në orën 15:00.

Krasniqi kishte arritur në Kosovë më 18 nëntor, pasi Dhomat e Specializuara në Hagë miratuan kërkesën për vizitë humanitare, për shkak të gjendjes shëndetësore të bashkëshortes së tij.

Gjatë këtyre katër ditëve, ai ka qëndruar pranë familjes, nën mbikëqyrjen dhe masat e sigurisë të misionit të EULEX-it dhe Policisë së Kosovës.

Më 16 shtator 2026, Dhomat e Specializuara e dënuan Krasniqin me 25 vjet burgim për krime lufte, në kuadër të aktgjykimit në rastin ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Të ngjashme