Bashkimi Evropian dhe Mbretëria e Bashkuar kanë riafirmuar përkushtimin e tyre për stabilitetin dhe prosperitetin e Ballkanit Perëndimor, duke u zotuar për bashkëpunim në mbështetjen e reformave të brendshme në vendet e rajonit.
Në deklaratën e përbashkët të miratuar në Samitin BE–Mbretëri e Bashkuar, të mbajtur më 20 nëntor në Bruksel, të dyja palët kanë theksuar se do të punojnë së bashku për forcimin e agjendave reformuese të vendeve të Ballkanit Perëndimor.
Në dokument thuhet se prioritet do të jenë sundimi i ligjit, demokracia, luftimi i korrupsionit dhe krimit të organizuar, si dhe adresimi i sfidave të përbashkëta të sigurisë dhe promovimi i rritjes së qëndrueshme ekonomike.
“Ne riafirmojmë përkushtimin tonë ndaj stabilitetit dhe prosperitetit të Ballkanit Perëndimor. Jemi pajtuar të punojmë së bashku për forcimin e agjendave të tyre të brendshme të reformave, përfshirë sundimin e ligjit, demokracinë, luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, adresimin e sfidave të përbashkëta të sigurisë dhe promovimin e rritjes së qëndrueshme ekonomike”, thuhet në deklaratën e përbashkët.
Dokumenti parasheh gjithashtu vazhdimin e konsultimeve strategjike ndërmjet BE-së dhe Britanisë së Madhe për Ballkanin Perëndimor, në kuadër të dialogut të tyre të rregullt për politikën e jashtme dhe sigurinë.
Në deklaratë, të dyja palët zotohen edhe për bashkëpunim më të gjerë në përballjen me kërcënimet hibride dhe sfidat e sigurisë, si dhe për forcimin e koordinimit në çështjet me interes të përbashkët.
Në pikën 23 të deklaratës, BE-ja dhe Mbretëria e Bashkuar kanë paralajmëruar vazhdimin e konsultimeve strategjike për Ballkanin Perëndimor, krahas çështjeve të tjera të sigurisë dhe politikës së jashtme.
“Që nga samiti i fundit dhe miratimi i Partneritetit të Sigurisë dhe Mbrojtjes BE–Mbretëri e Bashkuar, kemi zhvilluar dialogë të nivelit të lartë për politikën e jashtme dhe sigurinë, si dhe për sigurinë dhe mbrojtjen. Do të vazhdojmë konsultimet e rregullta strategjike për Rusinë/Ukrainën, Ballkanin Perëndimor dhe kërcënimet hibride”, thuhet në pikën 23.
Në të njëjtën pikë, palët zotohen të thellojnë dialogun dhe bashkëpunimin edhe për çështje të tjera tematike dhe rajonale me interes të përbashkët, si dhe të forcojnë bashkëpunimin praktik përmes shkëmbimit të personelit dhe rritjes së trajnimeve të përbashkëta.
Deklarata e përbashkët është miratuar në samitin e dytë BE–Mbretëri e Bashkuar, në të cilin liderët e të dyja palëve kanë diskutuar thellimin e partneritetit strategjik, sigurinë evropiane dhe bashkëpunimin në çështjet ndërkombëtare, shkruan Express.