Gucati për Krasniqin: Ky kolos i kombit dha gjithçka për Kosovën

Prishtinë | 21 Nën 2026 | 13:28 | Nga Ekonomia Online

Kreu i OVL UÇK-së, Hysni Gucati ka reaguar me një mesazh emocionues lidhur me gjendjen e ish-kryeparlamentarit Jakup Krasniqi, duke shprehur shqetësimin për atë që e cilëson si padrejtësi ndaj tij dhe ndaj ish-krerëve të UÇK-së që po përballen me procesin gjyqësor në Hagë.

Përmes një postimi në Facebook, Gucati ka theksuar se është e dhimbshme të shihet një njeri që, sipas tij, ia kushtoi jetën Kosovës, lirisë dhe dinjitetit të saj, duke u përballur sot me vështirësi të tilla.

Ai ka ngritur shqetësimin edhe për kufizimet në takimet familjare, duke vënë në pah se Jakup Krasniqi nuk po mund të ketë lirinë e plotë për të takuar të afërmit e tij.

Në reagimin e tij, Gucati ka bërë të ditur se këto ditë Krasniqi ndodhet në Kosovë për të qëndruar pranë bashkëshortes së tij, Sevdije Krasniqi, e cila po përballet me probleme shëndetësore.

Me këtë rast, ai i ka uruar asaj shërim të shpejtë dhe shëndet të plotë, duke vlerësuar sakrificën dhe qëndresën e saj ndër vite.

​”Këto ditë ai ndodhet në Kosovë për vizitë pranë bashkëshortes së tij, zonjës Sevdije, e cila nuk është mirë me shëndet. Një grua e fortë, e palodhur dhe e devotshme, e cila ka mbajtur mbi supe peshën e sakrificave të pafundme. Me gjithë zemër i urojmë zonjës Sevdije shëndet të plotë dhe shërim sa më të shpejtë. Zoti e forcoftë dhe e mbroftë”.
​
“Dhe me të njëjtën shpresë e besim të palëkundur, urojmë dhe presim që padrejtësia ndaj Bacit Jakup dhe ndaj të gjithë çlirimtarëve tanë në Hagë të marrë fund sa më shpejt. E vërteta e luftës sonë të drejtë e të pastër nuk mund të mbulohet përgjithmonë nga padrejtësia!”, ka shkruar ai.

Të ngjashme