Ministrja e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Fitore Pacolli, ka njoftuar për avancimin e projektit të Banimit të Përballueshëm dhe Social, duke bërë të ditur se në Pejë 135 njësi banesore janë në fazën finale të ndërtimit.
Përmes një postimi, Pacolli ka bërë të ditur se punimet po vazhdojnë edhe në Istog, Podujevë dhe Gjilan, ndërsa në Kamenicë është iniciuar procedura e prokurimit për lidhjen e kontratës,
Ndërkohë, projektet për banim të përballueshëm dhe social në Shtime dhe Obiliq janë në fazën e hartimit.
Pacolli ka njoftuar gjithashtu se në buxhetin e vitit 2027 janë ndarë 23.5 milionë euro për projektet e banimit të përballueshëm dhe social, si dhe për banimin social adekuat.
“Projekti i Banimit të Përballueshëm dhe Social po avancon!”, ka shkruar Pacolli, duke theksuar angazhimin e Qeverisë për familjet.