Eksperti amerikan: SHBA-ja duhet të rrisë presionin për vendimin e Gjykatës Speciale

Prishtinë | 21 Nën 2026 | 18:16 | Nga Ekonomia Online

Eksperti i politikës së jashtme dhe sigurisë, James Frinzi, ka deklaruar se Shtetet e Bashkuara të Amerikës duhet ta shfrytëzojnë më shumë ndikimin e tyre për të ushtruar presion lidhur me zhvillimet në Gjykatën Speciale.

Duke folur Frinzi ka vlerësuar se Kosova dhe shqiptarët janë ndër aleatët më të fuqishëm të SHBA-së në Evropë.

“E mendoj se për të pasur një lloj ndikimi në këtë, aleatët më të fuqishëm të Shteteve të Bashkuara në Evropë mund të argumentojmë që janë Kosova dhe shqiptarët etnikë”, ka thënë ai.

Frinzi ka theksuar se SHBA-ja duhet të rrisë presionin duke shfrytëzuar ndikimin diplomatik, ndihmat ushtarake dhe instrumentet tregtare.

“Nuk ka dyshim që janë shkelur të drejtat dhe më saktësisht mendoj se SHBA-ja mund ta shikojë këtë dhe të ushtrojë presion tek aleatët e tjerë të NATO-s dhe të Evropës Perëndimore, përmes doganave, ndihmës ushtarake, përmes tregtisë”, është shprehur Frinzi.

Ai ka vlerësuar se Uashingtoni nuk po e shfrytëzon sa duhet ndikimin për ta tërhequr vëmendjen ndërkombëtare.

“Është e tmerrshme që nga fillimi kisha thënë, por nga ana e SHBA-ve neve nuk po e shfrytëzojmë ndikimin tonë sa duhet për të tërhequr vëmendjen dhe për të shndërruar këtë veprim të gabuar”, ka deklaruar ai.

Frinzi ka folur edhe për atë që e konsideron standard të dyfishtë në politikën ndaj shqiptarëve dhe serbëve në Ballkan, raporton KlanKosova.

Të ngjashme