Kurti njofton për avancimin e projekteve të banimit të përballueshëm dhe Social në disa komuna të Kosovës

Prishtinë | 21 Nën 2026 | 19:39 | Nga Ekonomia Online

Kryeministri Albin Kurti, ka njoftuar përmes një postimi në Facebook për ecurinë e projektit të Banimit të Përballueshëm dhe Social, duke bërë të ditur se në disa komuna të vendit punimet janë duke përparuar, ndërsa në të tjera projektet ndodhen në faza të ndryshme të realizimit.

Sipas njoftimit të Kurtit, në Pejë projekti është drejt fazës së përfundimit, ndërsa punimet po vazhdojnë edhe në Istog, Podujevë dhe Gjilan.

Ndërkaq, në Kamenicë është duke u zhvilluar procedura e prokurimit për lidhjen e kontratës, kurse në Shtime dhe Obiliq projektet janë në fazën e hartimit.

“Në procedurë të prokurimit për lidhjen e kontratës është Kamenica e në fazën e hartimit të projekteve Shtimja dhe Obiliqi. Ashtu siç jemi zotuar, qeveria jonë do të jetë gjithmonë pranë familjeve, çifteve të reja dhe atyre në nevojë”, ka shkruar Kurti.

Nga ana tjetër, ministrja e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Fitore Pacolli, ka bërë të ditur se në Pejë 135 njësi banesore janë në fazën finale të ndërtimit.

Pacolli, përmes një postimi, ka theksuar gjithashtu se në buxhetin e vitit 2027 janë ndarë 23.5 milionë euro për projektet e Banimit të Përballueshëm dhe Social, si dhe për banimin social adekuat.

“Projekti i Banimit të Përballueshëm dhe Social po avancon!”, ka shkruar Pacolli

Të ngjashme