Bayern Munich mund të jetë aktiv në afatin kalimtar të janarit, pas lëndimit dhe operimit të fituesit të Topit të Artë, Harry Kane.
Në mesin e emrave që po shqyrtohen nga gjiganti gjerman është edhe sulmuesi Nicolo Tresoldi, i cili po kërkohet gjithashtu nga Milani.
Kane pritet të mungojë rreth tre muaj, pasi iu nënshtrua një operacioni në kyçin e këmbës të premten. Përveç tij, Bayerni po përballet edhe me lëndimet e Luis Diaz dhe Serge Gnabry, ndërsa Michael Olise ka pësuar një dëmtim të lehtë.
Kjo situatë ka bërë që drejtuesit e klubit ta rishqyrtojnë mundësinë e përforcimeve gjatë janarit. Sipas Fabrizio Romanos, Bayerni tashmë duhet ta marrë seriozisht në konsideratë ndërhyrjen në tregun e transferimeve.
Sipas “Calciomercato.com”, bavarezët janë në kërkim të një sulmuesi që mund të luajë edhe në krahë, në rast nevoje.
Njëri prej kandidatëve është Nicolo Tresoldi i Club Brugge, të cilin Bayerni e ka përcjellë gjatë javëve të fundit. Në listën e interesimeve janë edhe Eli Junior Kroupi i Bournemouthit, i cili mund të kushtojë rreth 80 milionë euro, si dhe Paris Brunner i Monacos, vlera e të cilit raportohet të jetë rreth 20 milionë euro.
Tresoldi është gjithashtu në radarët e Milanit, që po planifikon të investojë shumë për transferimin e një sulmuesi të ri në janar.
22-vjeçari po kalon një sezon të shkëlqyer, me 13 gola në 14 paraqitje në kampionatin belg dhe Ligën e Kampionëve. Megjithatë, transferimi i tij nuk pritet të jetë i lirë, pasi çmimi i tij raportohet të jetë rreth 60 milionë euro.