Shefi i Grupit Parlamentar të Aleancës, Besnik Tahiri, pas mbledhjes së Kryesisë së Kuvendit të Kosovës, ka folur për zhvillimet lidhur me draftin e parë të ligjit për Dhomat e Specializuara në Hagë, si dhe punën e grupit punues të themeluar nga partitë parlamentare, raporton Ekonomia Online.
Tahiri ka bërë të ditur se dekreti i presidentes për ligjin nuk do të jetë pjesë e seancës së ardhshme të Kuvendit, duke sqaruar se në vend të tij pritet të procedohet me një ligj të ri, për të cilin do të punojë grupi punues i emëruar nga partitë parlamentare.
Ai ka theksuar se nga diskutimet në Kryesi ka kuptuar se grupi punues do të vazhdojë punën dhe se drafti i ri pritet të jetë i gatshëm brenda një kohe relativisht të shkurtër.
“Ajo që dihet tani është që votimi i dekretit të presidentes për ligjin nuk është në orarin e Kuvendit dhe po ashtu ajo që dihet është se nuk do të jetë në seancën e radhës. As në vazhdimin e pikave të rendit të ditës dhe as në seancën tjetër. Tani, ajo çfarë e kuptova prej diskutimit është që grupi punues, i cili tanimë është emëruar nga partitë parlamentare, do ta bëjë punën e vet dhe do të vijë bukur shpejt”, ka deklaruar Tahiri.
Ai ka bërë të qartë se drafti i mëparshëm, përkatësisht dekreti i presidentes që ishte paraparë të votohej në Kuvend, nuk do të procedohet në seancën e radhës, pasi synohet hartimi i një ligji të ri.
“Pra, me thënë troç, ligji i cili ishte për votim, respektivisht dekreti i presidentes, nuk do të vijë nesër, do të vijë një ligj i ri. Kur do të vijë, kërkesa e Aleancës është një: bëjeni sa më shpejt që është”, ka theksuar Tahiri.
