Ish-presidentja e Kosovës, njëherësh deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Vjosa Osmani, ka kërkuar që Bashkimi Evropian të ndryshojë qasjen ndaj dialogut Kosovë-Serbi, duke insistuar në trajtimin e barabartë të palëve dhe në kushtëzimin e Serbisë me zbatimin e marrëveshjeve të arritura deri më tani.
Në një intervistë për Ekonomia Online, Osmani ka thënë se Kosova tashmë ka vendosur disa kushte për vazhdimin e dialogut, përfshirë dorëzimin e Milan Radoiçiqit, të cilin e ka cilësuar si kriminel ndërkombëtar dhe përgjegjës për agresionin dhe sulmin terrorist ndaj Kosovës.
“Kosova tashmë i ka vënë disa kushte para se të vazhdojë dialogun me Serbinë, që është dorëzimi i kriminelit ndërkombëtar, kriminelit ndërkombëtar Radoiçiq, kriminelit që e ka zbatuar urdhrin e Vuçiqit për krimin e agresionit dhe krimin terrorist kundër Kosovës. Dhe pastaj ka edhe një sërë kushtesh që vetë Kosova i ka vendosur, përfshirë nënshkrimin e marrëveshjes e shumë të tjera, dhe unë pres që t’i respektojnë këto kushte të vendosura para se të vazhdohet më tej”, ka deklaruar Osmani.
Duke folur për obligimet e Serbisë në kuadër të marrëveshjeve të arritura në Bruksel dhe Ohër, Osmani ka thënë se nga viti 2011 janë prodhuar mbi 100 dokumente në kuadër të dialogut, prej të cilave më shumë se 40 janë marrëveshje, por shumica e tyre nuk janë zbatuar nga Serbia.
“Në qoftë se i shqyrtojmë janë diku rreth mbi 100 dokumente që janë prodhuar nga dialogu Kosovë-Serbi nga viti 2011 e tutje, diku mbi 40 marrëveshje, por pastaj ka edhe përveç atyre edhe dokumente përcjellëse, analiza e të tjera. Diku mbi 2/3 e tyre nuk janë zbatuar asnjëherë nga Serbia. Ato që janë zbatuar janë të natyrës komplet teknike, ato që kanë qenë më të avancuara të natyrës politike, humanitare e të tjera, fatkeqësisht nuk janë zbatuar”, ka thënë ajo.
Osmani ka veçuar marrëveshjen për personat e zhdukur me dhunë, duke thënë se Serbia ende nuk i ka hapur arkivat shtetërore, të cilat mund të përmbajnë informacione për vendndodhjen e varrezave masive dhe personave të zhdukur gjatë luftës në Kosovë.
“Po e përmend vetëm një që është esenciale për interesat e qytetarëve të Kosovës, është marrëveshja për personat e zhdukur me dhunë, e cila e obligon Serbinë që t’i hapë arkivat shtetërore, ku është edhe vendndodhja e informatave mbi varrezat masive, pra edhe vendndodhja e personave që janë zhdukur me dhunë, në mesin e tyre ka edhe fëmijë të vrarë gjatë luftës dhe shumë e shumë civilë të tjerë, gra, pleq e shumë të tjerë, të cilët akoma nuk janë gjetur edhe pse kanë kaluar 27 vjet, dhe është e domosdoshme natyrisht që kjo marrëveshje, por edhe të tjera të zbatohen”, është shprehur Osmani.
Sipas saj, Serbia vazhdon të nënshkruajë apo pranojë marrëveshje, por më pas e bllokon zbatimin e tyre, ndërsa përfiton nga procesi i negociatave dhe mbështetja e Bashkimit Evropian.
“Serbia e bën atë që e ka bërë historikisht, pra nënshkruan marrëveshje ose i pranon ato e pastaj te zbatimi ngec dhe bllokohet përderisa përfiton nga bashkimi për nënshkrimin apo pranimin e tyre, nga Bashkimi Evropian pra përfiton. Dhe kjo është një qasje e cila duhet të ndryshojë, por ndryshimi fillon nga vetë Bashkimi Evropian, dhe mënyra se si i trajton palët në këtë proces”, ka deklaruar ajo.
Osmani nuk pret ndryshime të mëdha në raportin e Serbisë me Kosovën pas ndryshimeve në qeverisjen serbe, duke vlerësuar se Beogradi mund të vazhdojë me të njëjtat taktika për të përfituar nga Bashkimi Evropian, pa ndryshuar në thelb qasjen ndaj marrëveshjeve me Kosovën.
“Tani unë nuk pres që do të ketë ndonjë ndryshim të madh me ndryshimin e qeverisjes, natyrisht që do të ketë interesim që përsëri të vazhdohet me këto taktikat e njëjta ku përfitojnë nga Bashkimi Evropian, por në fakt në esencë nuk ndryshojnë diçka në raport me Kosovën, por po e përsëris, ne nuk duhet ndryshimin ta presim nga Serbia, ne ndryshimin duhet ta presim nga BE-ja”, ka thënë Osmani.
Ajo ka kritikuar edhe qasjen e deritanishme të ndërmjetësuesve evropianë, duke përmendur Miroslav Lajçakun, dhe ka shprehur pritjet që udhëheqësit e rinj të procesit të sigurojnë trajtim të barabartë për Kosovën dhe Serbinë.
“Dhe BE-ja deri tani ka pasur me Lajçakun e me të tjerët ka pasur një qasje të trajtimit të pabarabartë të palëve në këtë proces. Ne presim që tani me udhëheqësit e rinj të këtij procesi të ketë një trajtim të barabartë sepse ky është parimi themelor. Kur i trajton të dy palët në mënyrë të barabartë, fillon ta shohësh që Serbia nuk i ka zbatuar këto marrëveshje dhe kërkon prej tyre që para se të procedohet të zbatojë ato, përndryshe do të duhej që të bllokohej çdo hap tutje i Bashkimit Evropian në negociata me Serbinë, e jo të hapeshin grup-kapituj të rinj, derisa në anën tjetër i ke 2/3 e marrëveshjeve me Kosovën që nuk janë zbatuar”, ka theksuar Osmani.
Sa i përket Asociacionit të komunave me shumicë serbe, Osmani ka thënë se Kosova nuk duhet të vazhdojë me zbatimin e obligimeve të saj, nëse Serbia nuk i përmbush marrëveshjet që ka marrë përsipër, veçanërisht ato që lidhen me çështje humanitare.
“Absolutisht nuk ka asnjë kuptim që Kosova të zbatojë pjesën e saj të marrëveshjeve në qoftë se Serbia akoma i ka mbi 2/3 e marrëveshjeve, sidomos kur flasim për çështje me interes human, humanitar, pra siç është çështja e të zhdukurve me dhunë, të cilën Serbia akoma nuk e ka zbatuar. Nuk ka asnjë kuptim që Kosova të ecën më përpara, e aq më pak kur Kosovës nuk po i hapet rruga as për trajtimin e aplikacionit të saj, të dorëzuar qysh në vitin 2022 për anëtarësim në Bashkimin Evropian”, ka thënë ajo.
Osmani ka insistuar se kërkesa e parë e Kosovës duhet të jetë ndryshimi i qasjes së BE-së, duke e trajtuar Kosovën dhe Serbinë si palë të barabarta dhe duke vlerësuar në mënyrë të paanshme zbatimin e marrëveshjeve.
“Pra mendoj që hapi i parë këtu, kërkesa numër një duhet të jetë që Bashkimi Evropian ta ndryshojë qasjen, t’i trajtojë Kosovën dhe Serbinë si palë të barabarta në këtë proces, ta trajtojë në mënyrë të paanshme çështjen e zbatimit të marrëveshjeve. Kosova i ka zbatuar 99%, nuk ka asnjë kuptim që të ecën përpara kur Serbia është totalisht e bllokuar edhe në zbatimin e marrëveshjeve më esenciale që ka të bëjë me jetën e njerëzve. Pra këtu duhet të kërkojmë një qasje të barabartë nga BE-ja dhe të insistohet në të para vazhdimit të mëtejmë”, shtoi Osmani.
