Kosova dhe Turqia zhvillojnë konsultime politike, diskutojnë marrëveshjet në fushën e mbrojtjes dhe sigurisë

Prishtinë | 23 Nën 2026 | 15:08 | Nga Ekonomia Online

Zëvendësministri i Punëve të Jashtme dhe Diasporës i Kosovës, Kreshnik Ahmeti, ka zhvilluar konsultime politike në Ankara me homologun e tij turk, Kemal Mehmet Bozay, ku është diskutuar për thellimin e bashkëpunimit bilateral, marrëveshjet në proces dhe avancimin e Kosovës në arenën ndërkombëtare.

Sipas njoftimit të Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Diasporës, konsultimet u zhvilluan në kuadër të forcimit të bashkëpunimit ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Republikës së Turqisë.

Gjatë takimit, të dy palët konfirmuan marrëdhëniet e shkëlqyera ndërmjet vendeve dhe vullnetin për thellimin e mëtejshëm të bashkëpunimit në fusha me interes të përbashkët.

Në fokus të diskutimeve ishin marrëveshjet që janë në proces, veçanërisht në fushën e mbrojtjes, sigurisë, arsimit dhe turizmit, me synimin për avancimin e partneritetit strategjik ndërmjet Kosovës dhe Turqisë.

Po ashtu, është diskutuar për forcimin e subjektivitetit ndërkombëtar të Kosovës, anëtarësimin në organizata ndërkombëtare dhe avancimin e procesit të integrimit në strukturat euroatlantike.

Në këtë takim, zëvendësministrat kanë shkëmbyer pikëpamje edhe për zhvillimet e fundit politike dhe të sigurisë në rajon dhe në nivel global, duke theksuar rëndësinë e bashkëpunimit dhe koordinimit të vazhdueshëm për ruajtjen e paqes, stabilitetit dhe sigurisë.

Sipas njoftimit, konsultimet kanë konfirmuar vullnetin e përbashkët për intensifikimin e dialogut politik dhe konkretizimin e bashkëpunimit ndërmjet dy vendeve në fusha me rëndësi strategjike.

Të ngjashme