Hapet ekspozita “Në gjurmët e historisë dhe kujtesës”, kushtuar 80-vjetorit të pushkatimit të katër figurave historike

Prishtinë | 24 Nën 2026 | 12:59 | Nga Ekonomia Online

Agjencia Shtetërore e Arkivave të Kosovës dhe Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave të Shqipërisë kanë hapur ekspozitën “Në gjurmët e historisë dhe kujtesës”, në kuadër të aktiviteteve të Javës Kombëtare Kulturore, raporton Ekonomia Online.

Ekspozita i kushtohet 80-vjetorit të pushkatimit të Marie Shllakut, At Bernard Llupit, Kolë Parubit dhe Gjergj Martinit. Përmes dokumenteve arkivore, fotografive dhe dëshmive historike, ekspozita synon të rikthejë në vëmendje jetën, veprimtarinë dhe fatin e këtyre katër figurave të historisë kombëtare.

Në hapje të ekspozitës kanë marrë pjesë përfaqësues të institucioneve arkivore të Kosovës dhe Shqipërisë, të cilët kanë theksuar rëndësinë e ruajtjes së trashëgimisë dokumentare dhe historike, si dhe të bashkëpunimit ndërmjet dy institucioneve.

Zëvendësdrejtori i Agjencisë Shtetërore të Arkivave të Kosovës, Mehmed Xhemajli, ka thënë se ekspozita “Në gjurmët e historisë dhe kujtesës” sjell dëshmi për jetën dhe veprimtarinë e Marie Shllakut, At Bernard Llupit, Kolë Parubit dhe Gjergj Martinit.

Ai tha se këto figura në një periudhë të vështirë historike, u angazhuan për mbrojtjen e identitetit kombëtar dhe organizimin politik të shqiptarëve në Kosovë.

“Kjo ekspozitë me bash organizimin  me agjencinë e arkivave të Kosovës dhe drejtorisë së përgjithshme të Arkivave të Shqipërisë sjell dëshmitë e Marie Shllakut, At Bernard Llupit, Kolë Parubit dhe Gjergj Martinit, të cilët në një periudhe të vështirë historike u angazhuan për mbrojtjen e identitetit kombëtar bashkimin e organizimit politik të Shba ve n Kosovë”, tha Xhemaili.

Xhemajli ka folur për jetën dhe veprimtarinë e Marie Shllakut, At Bernard Llupit, Kolë Parubit dhe Gjergj Martinit, në  ekspozitë.Ai ka theksuar se Marie Shllaku ndonëse në moshë të re, u dallua për guximin, vendosmërinë dhe angazhimin e saj në zhvillimet politike të kohës, duke bashkëpunuar me figura të rezistencës shqiptare në Kosovë.

“Maria Shllaku, ndonëse në moshë të re, u dallua për guximin, vendosmërinë dhe formimin e saj intelektual. Ajo u përfshi drejtpërdrejt në zhvillimet politike të kohës dhe bashkëpunoi me figura të rëndësishme të rezistencës shqiptare në Kosovë. Në angazhimin e saj të palëkundur, dëshmoi se përkushtimi ndaj atdheut nuk njihte as pengesa dhe as dallime gjinore”, shtoi.

Ndërsa At Bernard Llupi u angazhua për bashkimin e shqiptarëve dhe afirmimin e interesit kombëtar, kurse Kolë Parubi dhe Gjergj Martini kontribuuan në përhapjen e gjuhës shqipe dhe forcimin e vetëdijes kombëtare përmes arsimit dhe kulturës.

“At Bernard Llupi, krahas misionit të tij fetar, u angazhua për bashkimin e shqiptarëve dhe afirmimin e interesit kombëtar. Duke kapërcyer dallimet krahinore, pjesëmarrja e tij në organizimet politike të kohës dëshmon për bindjen se çështja e Kosovës kërkonte bashkim dhe angazhim të të gjithë shqiptarëve”, theksoi Xhemaili.

Sipas Xhemajlit, katër figurat u përfshinë në organizimet patriotike, veçanërisht në veprimtarinë e OMONDSH-së, në rrethana të vështira politike dhe nën presionin e pushtetit jugosllav të kohës.

Për këtë veprimtari, ata u arrestuan dhe u nxorën para gjyqit në Prizren, ku më 24 nëntor 1946 u dënuan me vdekje. Dënimi u ekzekutua me pushkatim, duke i dhënë fund jetës së katër figurave që, sipas Xhemajlit, nuk kursyen asgjë në angazhimin e tyre për të ardhmen e Kosovës.

“Angazhimi i tyre në organizimet kombëtare, veçanërisht në veprimtarinë e OMONDSH-së, u zhvillua në rrethana të rënda politike dhe nën presionin e vazhdueshëm të pushtetit jugosllav të atëhershëm.Për këtë veprimtari, ata u arrestuan dhe u nxorën para gjyqit në Prizren, ku u dënuan me vdekje më 24 nëntor të vitit 1946. Dënimi u ekzekutua në pushkatim, duke u profunduar jeta e katër atdhetarëve, të cilët prej idealit të tyre dhe për të ardhmen e Kosovës nuk kursyen asgjë nga jeta”, potencoi ai.

Kurse përfaqësuesi i Drejtorisë së Përgjithshme të Arkivave të Shqipërisë, Endrit Pollo, në hapjen e ekspozitës “Në gjurmët e historisë dhe kujtesës”, ka thënë se përmes saj po përkujtohen katër figura të rezistencës kombëtare, në 80-vjetorin e pushkatimit të tyre.

Ai i cilësoi Marie Shllakun, At Bernard Llupin, Kolë Parubin dhe Gjergj Martinin si katër martirë shkodranë, të cilët, pavarësisht formimit dhe rrugëve të ndryshme jetësore, i bashkonte ideali i lirisë.

Pollo veçoi figurën e Marie Shllakut, të cilën e përshkroi si intelektuale të re shkodrane, që zgjodhi ta lidhte fatin e saj me Kosovën dhe që mbeti simbol i guximit, idealizmit dhe përkushtimit ndaj çështjes kombëtare.

“Kam kënaqësinë që në emër të Drejtorisë së Përgjithshme të Arkivave të Republikës së Shqipërisë dhe të gjithë stafit të saj t’ju përshëndes me rastin e Javës Kombëtare Kulturore, si dhe me rastin e hapjes së ekspozitës “Në gjurmë të historisë dhe kujtesës”, kushtuar 80-vjetorit të pushkatimit të Maria Shllakut, At Bernard Llupit, Kolë Parubit dhe Gjergj Martinit.Sot përkujtojmë katër figura të shquara të rezistencës sonë kombëtare, ose siç quhen ndryshe “katër martirët shkodranë”, të cilët, ndonëse kishin formime dhe rrugë jetësore të ndryshme, u bashkuan nga i njëjti ideal i lirisë dhe u përballën me të njëjtin fat tragjik. Në qendër të kësaj ekspozite qëndron sigurisht figura e Maria Shllakut, por intelektualja e re shkodrane, e cila zgjodhi ta lidhte fatin e saj me atë të Kosovës dhe mbeti një simbol i guximit, idealizmit dhe përkushtimit ndaj çështjes kombëtare. Përkrah asaj kujtojmë dhe At Bernard Llupin, OFM, një françeskan me urdhër të përkushtuar; Kolë Parubin, profesorin dhe edukatorin që ia kushtoi jetën arsimit shqiptar; si dhe Gjergj Martinin, mësuesin e ri që kontribuoi në përhapjen e dijes dhe kulturës shqiptare në Kosovë”, potencoi Pollo.

Të ngjashme