“Vjehrra ishte e pranishme kur Arlinda Zekaj u sulmua me sëpatë”, krejt çfarë dihet për katër të dyshuarit e arrestuar sot

Prishtinë | 24 Nën 2026 | 17:48 | Nga Ekonomia Online

Katër persona të tjerë janë arrestuar sot nga policia si të dyshuar në përfshirje për vrasjen e Arlinda Zekajt më 25 nëntor në fshatin Vitomiricë të Pejës, shkruan Ekonomia Online.

Hetimet nga Prokuroria e Prishtinës janë zgjeruar ndaj ish-bashkëshortit të saj, Jeton Sylajt, ish-vjehrrës së saj, Nurije Sylajt, ish-kunatit Driton Sylajt dhe dy të tjerëve Metë Pepajt dhe Gëzim Bobit.

Sipas aktvendimit të siguruar nga “Betimi për Drejtësi“, Nurije Sylaj ishte e pranishme në dhomën ku Albert Sylaj sulmoi me sëpatë viktimën dhe nuk ndërmori asnjë veprim për të ndërprerë sulmin.

Po ashtu, në aktvendimin e Prokurorisë thuhet se në ditën kritike, Nurije Sylaj ka qenë e pranishme në shtëpi, fillimisht në sallon e më pas edhe në dhomën e gjumit, gjatë kohës kur Albert Sylaj e ka sulmuar viktimën Arlinda Zekaj me sëpatë, duke mos ndërmarrë asnjë veprim për ta penguar apo ndërprerë sulmin, ndonëse ka qenë prezentë.

Ai ka përcjellë lëvizjet e viktimës dhe ka siguruar informacione për vendndodhjen e saj, duke e incizuar më 23 tetor 2026 duke ecur në qytet, ndërsa videon e realizuar ia ka dërguar Nurije Sylajt përmes aplikacionit WhatsApp, me ç’rast materiali është gjetur në telefonin e kësaj të fundit.

Këto veprime, Prokuroria vlerëson se Driton Sylaj i ka ndërmarrë duke qenë në dijeni për planin e personave të tjerë për privimin nga jeta të viktimës dhe me qëllim që, përmes sigurimit dhe transmetimit të informacioneve për lëvizjet e saj, të krijojë kushte dhe të lehtësojë realizimin e veprës penale.

Dhe, pas kryerjes së vrasjes, Albert Sylaj e ka njoftuar për vrasjen e viktimës.

Me këtë, Driton Sylaj dyshohet se ka kryer veprën penale “Ndihma në kryerjen e veprës penale ‘Vrasja e rëndë’” nga neni 173, par. 1, pika 1.3, 1.4 e 1.8 lidhur me nenin 33 të Kodit Penal.

Sipas Prokurorisë, pas kryerjes së veprës penale të vrasjes së Arlinda Zekajt, Pepaj e ka marrë Albert Sylajn me automjetin e tij dhe e ka transportuar deri në fshatin Bec, me qëllim që ta largojë nga vendi ku mund të lokalizohej dhe arrestohej nga organet kompetente, duke i mundësuar kështu shmangien e përkohshme nga arrestimi dhe kapja nga policia.

Me këtë, Metë Pepaj dyshohet se ka kryer veprën penale “Dhënia e ndihmës kryerësve pas kryerjes së veprës penale” nga neni 380, par. 3 i Kodit Penal.

Në anën tjetër, Gëzim Bobi po ashtu dyshohet se me dashje ka ndihmuar Albert Sylajn në shmangien e arrestimit dhe zbulimit nga organet e drejtësisë.

Kjo pasi, më 25 tetor 2026, pasi Albert Sylaj ishte transportuar nga Metë Pepaj deri në fshatin Bec, e ka marrë dhe e ka strehuar në banesën e tij në Gjakovë, duke i mundësuar fshehjen dhe qëndrimin larg organeve të rendit.

Ndërsa, sipas Prokurorisë, më 26 tetor 2026, rreth orës 11:30, me automjetin e tij e ka transportuar Albert Sylajn në drejtim të fshatit Maznik, me qëllim të vazhdimit të fshehjes së tij dhe shmangies nga arrestimi dhe kapja prej organeve kompetente.

Nesër, të mërkurën e 25 nëntorit, bëhet një muaj që kur u vra Arlinda Zekaj.

Zekaj dyshohet se u vra nga kunati i saj në Vitomiricë të Pejës më 25 tetor, rreth orës 21:00.

Më herët atë mbrëmje, Zekaj kishte raportuar dhunë në familje. Sipas Prokurorisë, ish-bashkëshorti i saj ishte ndaluar për 48 orë.

Ndaj tij ishte iniciuar procedurë për mospërfillje të gjykatës.

Ndërkohë, Zekaj ishte kthyer në shtëpinë e përbashkët me ish-bashkëshortin, siç tha Policia, “me vullnetin e saj”.

Pak më vonë, Zekaj u konstatua e vrarë nga goditjet me një mjet të fortë.

Të ngjashme