Dy shqiptarë të dyshuar për vjedhje në rezidencën e Princit William, mediat në Angli ua publikojnë fotot

Prishtinë | 25 Nën 2026 | 21:02 | Nga Ekonomia Online

Dy shtetas shqiptarë janë akuzuar për vjedhje dhe hyrje të paautorizuar në rezidencën e Princit William dhe bashkëshortes së tij, Kate Middleton, në Norfolk të Anglisë. Sipas gazetës britanike Daily Mail, bëhet fjalë për pronën Anmer Hall, e cila ndodhet në pronën private Sandringham Estate.

Të akuzuarit janë identifikuar si Mirgen Doku, 34 vjeç, dhe Arilen Ndoci, 32 vjeç. Ata dyshohet se kanë hyrë në rezidencë me qëllim të vjedhjes, si dhe për shkelje të një zone të mbrojtur. Të dy janë arrestuar pas incidentit dhe janë dërguar në mbajtje.

Policia ishte njoftuar për aktivitet të dyshimtë në pronë pak para orës 18:00 të së hënës. Për kërkimet në zonë ishin angazhuar njësi të specializuara policore, përfshirë qen nuhatës, dronë dhe një helikopter të Shërbimit Ajror Kombëtar të Policisë britanike.

Në kohën e incidentit, as Princi William, as Kate Middleton dhe as fëmijët e tyre nuk ndodheshin në rezidencë. Anmer Hall është një shtëpi dhjetëdhomëshe, e cila iu dhurua çiftit mbretëror nga Mbretëresha Elizabeth II pas martesës së tyre.

Rezidenca ndodhet në pronën Sandringham, në Norfolk, dhe ka gjithashtu pishinë private, fushë tenisi dhe hapësira të gjera përreth saj. Pallati Kensington më herët kishte bërë të ditur se nuk komenton çështjet që lidhen me sigurinë.

Të ngjashme