Ish deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Ferat Shala, ka thënë se ngritja e obeliskut në hyrje të fshatit Negroc, në nderim të Jakup Krasniqit dhe UÇK-së, përfaqëson një akt mirënjohjeje ndaj historisë dhe kontributit për lirinë e Kosovës, raporton Ekonomia Online.
Gjatë ceremonisë së përurimit të obeliskut dhe tri shkronjave të UÇK-së, Shala ka thënë se Negoci është një prej vendeve ku historia nuk lexohet vetëm në libra, por përjetohet përmes kujtesës dhe ngjarjeve që kanë ndodhur aty.
Ai ka theksuar se ura në hyrje të fshatit simbolizon lidhjen mes dy brezave, atij që e bëri lirinë dhe brezit që duhet ta ruajë atë.
Shala ka kujtuar edhe vizitat e komandantit legjendar Adem Jashari në Negroc në fillim të viteve ’90, duke thënë se ai kishte qenë mysafir në shtëpinë e Jakup Krasniqit dhe Shaban Shalës.
Sipas tij, në atë kohë, këto familje i kishin ofruar mikpritje Adem Jasharit dhe çetës së tij, pavarësisht rrezikut që paraqiste një veprim i tillë, i cili mund të përfundonte me burgim apo edhe me humbje jete.
Ai ka thënë se gjatë luftës, Negoci, Vuçaku dhe fshatrat përreth ishin shndërruar në strehë dhe bazë për Hashim Thaçin, Kadri Veselin, Rexhep Selimin dhe pjesëtarët e Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Shala ka falënderuar familjet e këtyre fshatrave për mikpritjen dhe mbështetjen që u kishin ofruar ish-krerëve dhe luftëtarëve të UÇK-së.
“Nuk e kemi ngritur këtë pllakë për të zbukuruar hyrjen e fshatit. E kemi ngritur sepse kemi borxh ndaj Jakup Krasniqit, ndaj kujtesës historike, ndaj UÇK-së.
Për të mos e anashkaluar kujtesën historike, dua t’ju them edhe një të vërtetë: komandanti legjendar nuk vjen këtu për herë të parë në Negroc. Në fillim të viteve ’90, kur emri i tij ende pëshpëritej e nuk shkruhej, Adem Jashari ka qenë këtu. Ka qenë mik në shtëpinë e Jakup Krasniqit, ka qenë mik në shtëpinë e Shaban Shalës. Në ato oda, komandanti dhe çeta e tij gjetën bukë, kripë e zemër, në kohën kur një mikpritje e tillë mund të kushtonte me burg e madje edhe me jetë.
Dhe kjo nuk mbeti vetëm kujtim i viteve ’90. Kur lufta u ndez, Negroci e Vuçaku dhe shumë fshatra përreth u bënë strehë dhe bazë për Hashim Thaçin, Kadri Veselin, Rexhep Selimin dhe për të gjithë Shtabin e Përgjithshëm të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Në këto shtëpi, në këto oda, në këto shtigje kaloi një pjesë e madhe e atyre që sollën lirinë sot. Këta njerëz nuk ishin mysafirë të rastit këtu, ishin miq të shtëpisë. Prandaj sot falënderojmë edhe ato familje, bashkë me të gjithë ata, Negrovcin e Vuçakun. Atëherë e nderuan komandantin legjendar e çetën e tij, pa pyetur për rrezikun”, ka deklaruar Shala.