Rama uron Ditën e Falënderimeve: Miqësia mes Kosovës dhe SHBA-së mbetet e çmuar

Prishtinë | 26 Nën 2026 | 15:54 | Nga Ekonomia Online

Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, ka uruar miqtë amerikanë me rastin e Ditës së Falënderimeve, duke vlerësuar miqësinë dhe lidhjet e forta ndërmjet popullit të Kosovës dhe atij amerikan, raporton Ekonomia Online.

Përmes një mesazhi, Rama ka bërë të ditur se kremtimi i kësaj feste në Kampin Bondsteel ishte një mundësi e veçantë për të shprehur mirënjohjen ndaj Shteteve të Bashkuara të Amerikës për mbështetjen e vazhdueshme ndaj Kosovës.

“Kremtimi në Kampin Bondsteel ishte një mundësi për të shprehur mirënjohjen për miqësinë e veçantë mes popullit tonë dhe atij amerikan, për mbështetjen e Amerikës në rrugëtimin tonë drejt lirisë dhe për lidhjet e forta që familjet kosovare në SHBA vazhdojnë të ndërtojnë mes dy vendeve”, ka shkruar Rama në Facebook.

Ai ka theksuar se kjo miqësi e ndërtuar ndër vite mbi lidhje historike dhe njerëzore, mbetet një nga vlerat më të çmuara për Kosovën.

“Kjo miqësi, e rrënjosur në histori dhe e forcuar nga njerëzit tanë, do të mbetet gjithmonë e çmuar”, ka theksuar kryetari i Prishtinës.

Në fund të mesazhit të tij, Rama ka përcjellë urimet nga kryeqyteti i Kosovës për qytetarët amerikanë me rastin e kësaj feste.

“Gëzuar Ditën e Falënderimeve, nga Prishtina!”, ka përfunduar ai.

Të ngjashme