Kusari-Lila: Konventa e Lubjanës–Hagës fuqizon bashkëpunimin ndërkombëtar në hetimin e krimeve të rënda

Prishtinë | 26 Nën 2026 | 16:48 | Nga Ekonomia Online

Ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Mimoza Kusari-Lila, ka prezantuar para Kuvendit të Kosovës Projektligjin për ratifikimin e Konventës së Lubjanës–Hagës për bashkëpunimin ndërkombëtar në hetimin dhe ndjekjen e krimit të gjenocidit, krimeve kundër njerëzimit, krimeve të luftës dhe krimeve të tjera ndërkombëtare, raporton Ekonomia Online.

Kusari-Lila, e cila projektligjin e paraqiti në emër të zëvendëskryeministrit Glauk Konjufca dhe Ministrit të Punëve të Jashtme dhe Diasporës, e ka cilësuar këtë konventë si një prej instrumenteve më të rëndësishme ndërkombëtare për drejtësi ndaj krimeve më të rënda që prekin ndërgjegjen e njerëzimit.

Ajo ka thënë se ratifikimi i këtij akti e vendos Kosovën drejtpërdrejt në arkitekturën bashkëkohore të drejtësisë penale ndërkombëtare, duke plotësuar një zbrazësi shumëvjeçare në bashkëpunimin juridik shumëpalësh.

“Ratifikimi i këtij akti e vendos Republikën e Kosovës drejtpërdrejt në arkitekturën bashkëkohore të drejtësisë penale ndërkombëtare, duke plotësuar një zbrazësi shumëvjeçare në bashkëpunimin juridik shumëpalësh. Nga përvoja jonë si popull e dimë mirë se sa e rëndësishme dhe vendimtare është mbledhja e provave, ruajtja e tyre dhe sigurimi i dëshmive që shpesh ndodhen jashtë kufijve tanë shtetërorë, e po ashtu edhe sjellja para drejtësisë së kryerësve që fshihen në juridiksionet e huaja”, ka thënë ajo.

Sipas Kusari-Lilës, përmes kësaj konvente institucionet e drejtësisë dhe të ndjekjes në Kosovë do të kenë një mekanizëm të drejtpërdrejtë, modern dhe ligjërisht të detyrueshëm për shkëmbimin e informacioneve, ndihmën juridike të ndërsjellë, kryerjen e hetimeve të përbashkëta dhe ekstradimin e personave të kërkuar.

Ajo ka theksuar se vota pro këtij projektligji mbështetet në tri shtylla themelore për drejtësinë dhe shoqërinë.

Shtylla e parë, sipas saj, është fuqizimi i mbrojtjes dhe dinjitetit për viktimat dhe dëshmitarët.

“Konventa garanton trajtim të dinjitetshëm, mbrojtje fizike dhe procedurale, mbrojtje të të dhënave personale dhe një kornizë të qartë ligjore për realizimin e të drejtave të tyre për informim, pjesëmarrje dhe kompensim gjatë gjithë procesit gjyqësor, duke e vënë viktimën në qendër të drejtësisë”, ka deklaruar Kusari-Lila.

Ndërkaq, si shtyllë të dytë ajo e ka përmendur rritjen e kapaciteteve hetuese dhe ndjekëse të sistemit të drejtësisë.

“Prokurorët dhe gjyqtarët tanë pajisen me metoda moderne, bashkëpunim operativ me shtetet partnere, përfshirë marrjen e dëshmive përmes videokonferencës, transferimin e procedurave penale dhe bashkëpunimin e drejtpërdrejtë ndërmjet autoriteteve kompetente për të mbyllur çdo hapësirë të pandëshkueshmërisë për krimet që nuk parashkruhen”, ka thënë ajo.

Të ngjashme