FIFA ka konfirmuar të enjten se ka qenë viktimë e një sulmi kibernetik, i cili u ka mundësuar personave të paautorizuar qasje në një pjesë të të dhënave personale dhe afariste të organizatës.
Një zëdhënës i FIFA-s ka konfirmuar rastin për agjencinë e lajmeve Reuters, duke bërë të ditur se bëhet fjalë për një sasi të kufizuar informacioni.
“FIFA mund të konfirmojë se ka qenë viktimë e një sulmi të paligjshëm kibernetik, që ka rezultuar me qasje të paautorizuar në një grup të kufizuar të informacioneve personale dhe afariste”, thuhet në deklaratën e FIFA-s.
Organi më i lartë i futbollit botëror e ka dënuar fuqishëm këtë sulm, duke e cilësuar marrjen dhe publikimin e paligjshëm të informacioneve, veçanërisht të dhënave personale, si shkelje serioze dhe të papranueshme të privatësisë.
Megjithatë, FIFA nuk ka bërë të ditur se sa persona apo organizata janë prekur nga sulmi, kur ka ndodhur ai dhe çfarë përmbanin konkretisht të dhënat afariste.
Sipas një personi të afërt me çështjen, i cili ka folur për Reuters, më pak se 0.1 për qind e të dhënave që posedon FIFA janë prekur nga ky sulm. Po ashtu, bëhet e ditur se nuk janë qasur dokumentet e projektit të braktisur “FIFA Forward Enterprise”.
Ky zhvillim vjen disa muaj pasi presidenti i FIFA-s, Gianni Infantino, njoftoi në korrik se organizata kishte hequr dorë nga plani për shitjen e një pjese të pronësisë së aktiviteteve të saj te investitorët privatë.
Projekti synonte të siguronte deri në 4.2 miliardë dollarë përmes shitjes së 20 për qind të aksioneve në një njësi të re që do të menaxhonte ngjarjet e FIFA-s, përfshirë Kupën e Botës. Plani kishte shkaktuar reagime të shumta kundërshtuese.