“E kam humb edhe vëllain, Enverin”, Haradinaj flet për vrasjet e pasluftës: U vranë shqiptarë të pafajshëm

Prishtinë | 26 Nën 2026 | 20:58 | Nga Ekonomia Online

Deputeti i Aleancës, Ramush Haradinaj, i ftuar sonte në emisionin “Politiko” në Kanal 10, foli për “prostestën” që bëri në Kuvend lidhur me rastet e vrasjeve të pasluftës në Kosovë.

Haradinaj tha se pas përfundimit të luftës dhe largimit të forcave serbe nga Kosova, pavarësisht pranisë së institucioneve ndërkombëtare, përfshirë KFOR-in dhe UNMIK-un, ndodhën shumë vrasje të shqiptarëve.

Ai ka theksuar se këto vrasje nuk duhet të shihen përmes ndarjeve politike, pasi viktimat ishin shqiptarë të pafajshëm.

“Me mbylljen e luftës dhe largimin e forcave serbe nga Kosova filloi dinamika e jetës. Edhe me ndihmën e institucioneve ndërkombëtare, KFOR-it e UNMIK-ut, ndodhën shumë vrasje. Na u vranë shumë njerëz, shqiptarë të zotë. Janë dy momente që debatin e sotëm e bëjnë të dhimbshëm. E para, ndarja: disa i quajmë të LDK-së, disa të UÇK-së e disa të dikujt tjetër. Në fakt, u vranë shqiptarë të pafajshëm, të rinj e të pabesë, dhe shumë prej atyre vrasjeve nuk u zbardhën”, ka deklaruar Haradinaj.

Ai ka treguar se këto ngjarje e kanë prekur edhe personalisht, duke përmendur humbjen e vëllait të tij, Enver Haradinaj, si dhe bashkëluftëtarëve dhe kolegëve nga njësitë e tij.

“Unë jo vetëm që kam humbur shumë bashkëluftëtarë e kolegë të njësive, por e kam humbur edhe vëllain tim, Enverin, në këto vrasje e pabesi pas shpine”, ka thënë ai.

Haradinaj ka vlerësuar se qëllimi i Serbisë ishte nxitja e përçarjeve dhe vëllavrasjes mes shqiptarëve, për të penguar konsolidimin e Kosovës si shtet.

“E kemi kuptuar se qëllimi i Serbisë ka qenë të largohet prej Kosovës, përmes njerëzve tanë, me nxitjen e vëllavrasjes dhe moslejimin e konsolidimit të Kosovës si shtet civil e shtetëror. Duke e ditur këtë qëllim të tyre, nuk jemi aty që të shtihemi mes vete. S’ka kush që përfiton më shumë sesa Serbia”, ka deklaruar Haradinaj në Kanal 10.

Të ngjashme