Të paktën 10 nxënës kanë humbur jetën dhe 110 të tjerë janë plagosur si pasojë e një shpërthimi pranë një shkolle në Afganistan.
Ngjarja ka ndodhur të shtunën në mëngjes, në zonën Anderseir të Asadabadit, kryeqytetit të provincës Kunar, transmeton klankosova.tv.
Sipas zëdhënësit të Ministrisë së Brendshme të qeverisë talebane, Abdul Mateen Qani, hetimet paraprake sugjerojnë se shpërthimi është shkaktuar nga “neglizhenca dhe pakujdesia” në një depo eksplozivësh që i përket kompanive të minierave në afërsi.
Sipas BBC, Qani ka bërë të ditur përmes një postimi në rrjetin social X se hetimet për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes janë ende në vazhdim.
Pamjet e publikuara në rrjetet sociale tregojnë fëmijë të plagosur duke u nxjerrë nga automjetet dhe duke u dërguar me urgjencë në spitalin e Asadabadit, ndërsa pranë hyrjes ishte mbledhur një numër i madh qytetarësh.
Fotografitë nga brenda spitalit paraqesin fëmijë të shtrirë në shtretër, disa prej tyre me fasha të vendosura në kokë.
Industria minerare është një nga sektorët e rëndësishëm ekonomikë në Afganistan, por standardet e sigurisë shpesh janë të dobëta, duke shkaktuar aksidente të rënda.
Hetimet pritet të përcaktojnë përgjegjësitë dhe rrethanat e sakta që çuan në këtë tragjedi.