Një sulm kibernetik ka goditur platformën kryesore cloud të Forcave Ajrore të Shteteve të Bashkuara, të njohur si Cloud One, duke ngritur shqetësime për sigurinë e të dhënave sensitive ushtarake, përfshirë informacionet mbi personelin, logjistikën dhe operacionet taktike.
Sipas Reuters, e cila citon pesë persona të njohur me çështjen, ndërhyrja u zbulua gjatë muajit të fundit, në kuadër të punimeve për përmirësimin e sistemit. Deri më tani, nuk është identifikuar autori i sulmit dhe nuk dihet nëse hakerët kanë arritur të vjedhin të dhëna.
Platforma Cloud One, e krijuar në vitin 2017, mbështetet në shërbimet teknologjike të Microsoft, Amazon, Oracle dhe Alphabet. Ajo përdoret për funksione të rëndësishme, nga administrimi i të dhënave të personelit dhe pagesave deri te mirëmbajtja ushtarake dhe gjurmimi i armatimeve në më shumë se 200 baza të Forcave Ajrore amerikane në mbarë botën.
Sulmi ka shkaktuar ndërprerje në funksionimin e platformës. Sipas medias, janë pezulluar migrimi i disa aplikacioneve administrative drejt Cloud One dhe përditësimet e aplikacioneve ekzistuese. Disa përdoruesve u janë hequr gjithashtu të drejtat e administratorit.
Një prej burimeve tha se sulmuesit mund të kenë shfrytëzuar një dobësi softuerike për të depërtuar në të ashtuquajturin “control plane”, pjesa qendrore që administron infrastrukturën cloud. Në teori, një akses i tillë mund të mundësojë monitorimin e sistemeve të avionëve ushtarakë dhe lëvizjen e pjesëve rezervë, megjithëse nuk ka prova se këto të dhëna janë aksesuar në këtë rast.
Për hetimin e incidentit është përfshirë edhe Cyber Command, struktura kibernetike e ushtrisë amerikane, e cila po vlerëson përmasat e dëmit. /Panorama