Drejtori i Institutit “Octopus”, Arben Fetoshi, ka vlerësuar se bashkëpunimi i KFOR-it me ushtrinë serbe duhet të ketë si qëllim neutralizimin e kërcënimeve ndaj Kosovës, duke theksuar se ky bashkëpunim nuk duhet të përdoret nga Serbia për kontestimin e shtetësisë dhe delegjitimimin e institucioneve të Kosovës.
Në një reagim lidhur me vizitën e ushtarakëve serbë në Komandën Qendrore të KFOR-it, në Camp Film City, Fetoshi ka thënë se shqetësimet për këtë vizitë janë të kuptueshme dhe legjitime, për shkak të mosdistancimit të Serbisë nga e kaluara kriminale në Kosovë dhe qëndrimit të saj ndaj sovranitetit të vendit.
“Reagimet dhe shqetësimet lidhur me vizitën e ushtarakëve serbë në Komandën Qendrore të KFOR-it (Camp Film City) janë të kuptueshme dhe legjitime, për shkak të mosdistancimit nga e kaluara kriminale në Kosovë, ngarkesës politike me kontestimin e sovranitetit dhe sidomos ashpërsimit gjithnjë e më shqetësues të tensioneve gjeopolitike”, tha ai.
Ai ka theksuar se roli i NATO-s dhe forcimi i partneritetit me Forcën e Sigurisë së Kosovës mbeten jetikë për garantimin e paqes dhe sigurisë në rajon.
“Pikërisht ky është konteksti që tregon se roli i NATO-s dhe forcimi i partneritetit me FSK-në, mbeten jetikë për garantimin e paqes dhe sigurisë në rajon. Komunikimi i KFOR-it me ushtrinë serbe në kuadër të mekanizmave të Marrëveshjes Tekniko-Ushtarake të Kumanovës (1999), ka kuptim vetëm si qëllim për neutralizimin e kërcënimeve ndaj Kosovës”, ka shkruar ai.
Fetoshi ka vënë në pah edhe dimensionin simbolik të vizitave të ushtrisë serbe në Prishtinë, duke thënë se bashkëpunimi teknik dhe operacional nuk duhet të lërë anash qëndrimin e vazhdueshëm të Serbisë kundër Republikës së Kosovës dhe legjitimitetit të FSK-së.
“Në këtë funksion, përtej karakterit teknik dhe operacional të bashkëpunimit, KFOR-i duhet ta ketë parasysh edhe dimensionin simbolik të vizitave të ushtrisë serbe në Prishtinë, sidomos në raport me qëndrimin e vazhdueshëm kundër Republikës së Kosovës dhe legjitimitetit të FSK-së, si partnere të NATO-s. “Profesionalizmi” si referencë për bashkëpunimin dhe koordinimin mes tyre, nuk mund ta mbulojë trashëgiminë dhe vazhdimin e qasjes kërcënuese nga ushtria serbe”, ka shkruar ai.
Ai ka pretenduar se ushtria serbe vazhdon të promovojë formacione dhe ish-komandantë të përfshirë në luftën në Kosovë, duke përmendur nderimin e Ratko Mlladiqit dhe pjesëmarrjen e ish-komandantit Vlladimir Llazareviq në premierën e një dokumentari.
“Si një mekanizëm dhe platformë e strategjisë hibride, ajo vazhdon heroizimin e formacioneve të saj gjatë luftës në Kosovë, nderon kriminelë të gjenocidit, si në varrimin e Ratko Mlladiqit në Beograd dhe i mban në skenat e ligjërimit “patriotik” ish-komandantët e dënuar për krime kundër njerëzimit, si Vlladimir Llazareviqi në premierën e dokumentarit “Korpusi i Prishtinës – Atdheu na komandon” (07.10.2026)”, ka shkruar ai.
Fetoshi ka përmendur edhe krimet e kryera gjatë luftës në Kosovë, duke theksuar se bashkëpunimi me NATO-n nuk mund të shkëputet nga përgjegjësia për të kaluarën.
“Një ushtri që ka kryer masakra, përdhunime e tortura ndaj civilëve, dëbime masive të popullsisë dhe fshehje të krimeve në varreza masive në Serbi, nuk mund të pretendojë “bashkëpunimin” me NATO-n pa hequr dorë nga trashëgimia e saj kriminale (ICTY, Aktgjykimi i Apelit në çështjen Shainoviq et al. 23.01.2014). Prandaj, është tejet e rëndësishme që mekanizmat e koordinimit ushtarak të mos i japin hapësirë instrumentalizimit të tyre nga Serbia, qoftë si shprehje e kontestimit të shtetësisë së Kosovës, qoftë si mjet për delegjitimimin e institucioneve të saj”, ka shkruar ai.
Drejtori i Institutit “Octopus” ka kërkuar transparencë dhe koordinim me institucionet e Kosovës, duke thënë se bashkëpunimi i NATO-s me Serbinë duhet të vlerësohet në bazë të ndikimit të tij në sigurinë e Kosovës dhe stabilitetin rajonal.
“Transparenca dhe koordinimi me institucionet e Kosovës janë imperativ për një komunikim strategjik që e ruan besimin dhe forcon partneritetin e ndërsjellë. Bashkëpunimi i NATO-s me Serbinë duhet të matet, jo me intensitetin e vizitave apo kontakteve, por me efektet reale në reduktimin e kërcënimeve, respektimin e sigurisë së Kosovës dhe forcimin e stabilitetit rajonal”, ka shkruar ai.