Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, ka thënë se shteti ynë i bashkëngjitet shteteve tjera të BE-së, për t’i mbështetur në hetimin e plotë e të pavarur për rrëzimin e aeroplanit MH17.
“Qeveria e Republikës së Kosovës i bashkëngjitet shteteve të Bashkimit Evropian dhe aleatëve të saj duke shprehur mbështetjen e plotë për gjetjet e hetimit të pavarur, të paanshëm dhe profesional të cilat u publikuan më 24 maj 2018, për rrëzimin e aeroplanit MH17, më 17 korrik 2014. Përgjegjësit për këtë ngjarje tragjike duhet të japin llogari”, ka thënë Haradinaj.
Kujtojmë se përmbyllja e hetimeve nga autoritetet e Holandës, në lidhje me rrëzimin e fluturimit MH17 ka nxjerrë si rezultat se armët me të cilat është rrëzuar aeroplani janë armë të ushtrisë së Federatës Ruse.
Në lidhje me këtë kishte reaguar edhe shefja e politikës së jashtme të Bashkimit Evropian, e cila tha se Rusia duhet ta marrë përgjegjësinë dhe të bashkëpunojë për llogaridhënien në këtë proces.