Presidenti Hashim Thaçi, në konferencën e sotme për medie, ka treguar se sot ka zhvilluar takim me udhëheqësit e institucioneve të sigurisë.
Ai është shprehur se sundimi i ligjit është i rëndësishëm për liberalizimin e vizave, proces që sipas tij do të realizohet këtë vit, raporton Ekonomia Online.
“Kemi shënuar progres të madh në këtë fushë dhe vazhdojmë fuqishëm të punojmë në sundimin e ligjit. Kjo ka rëndësi për liberalizimin e vizave dhe aspiratave për stabilitet. Mendoj se po (liberalizimi i vizave) por duhet të punojmë bashkërisht pozitë e opozitë”.
Ai sërish ka theksuar se UÇK-ja nuk ka pasur më shumë se 15 mijë ushtarë, derisa ka kërkuar që keqpërdorimi me listat e veteranëve të hetohet deri në fund, raporton EO.
“Veteranët janë pikë që pajtohemi se keqpërdorimet me listat e veteranëve duhet të hetohen deri në fund dhe ata që kanë bërë keqpërdorime të hetohen. Të ndalen kërcënimet. Listat zyrtare të ushtarëve nuk kanë qenë më tepër se 12 deri në 15 mijë. Flas për ata që kanë qenë me uniformë dhe armë në dorë”.
Thaçi ka bërë të ditur se këtë javë në Armeni do të mbahet Samiti i Frankofonisë, në të cilin do të marrë pjesë edhe ai si përfaqësues i Kosovës. Sipas tij, kjo është mundësi që duhet të shfrytëzohet për të kërkuar njohje.
“Pjesëmarrës do të jenë kryetarët e shteteve. Kjo është mundësi tjetër për ta promovuar Kosovën në nivel ndërkombëtar, për të kërkuar njohje të Kosovës”.
Ai ka mirëpritur iniciativën e Veselit për arritjen e një rezolute për dialogun, derisa ka kërkuar unitet politik për këtë çështje.
“Përshëndes veprimin e partive të koalicionit për rezolutën për dialogun. Është e rëndësishme të jemi sa më unik dhe të bashkohemi për dialogun me Serbinë. Interesi shtetëror do të jetë mbi çdo interes partiak”.
I pyetur nëse opozita po përgatitë rezolutë pa Thaçin si kryesues të dialogut, presidenti ka thënë se do ta përkrahë çdo rezolutë që është në përputhje me Kushtetutën.
Kur është pyetur se a e dëmton procesin e vizave konflikti me deklarata me Haradinajn, Thaçi ka thënë se këtë proces e dëmton kërcënimi ndaj organeve të drejtësisë.
“Procesin e dëmton kërcënimi ndaj organeve të drejtësisë, presioni ndaj tyre, ndërsa nëse kryeministri nuk pajtohet me bashkëlidhjen e Luginës, nuk pajtohem me të”.