Shkon në 12 numri i viktimave të ciklonit Fani në Indi

| 04 Maj 2019 | 11:37 | Nga

Cikloni më i fuqishëm që e ka goditur Indinë në pesë vjetët e fundit i ka lënë të vdekur së paku 12 njerëz në rajonin lindor të Odishas, para se të vazhdojë drejt Bangladeshit të shtunën. Më shumë se një milion njerëz janë zhvendosur për shkak të frikës nga pasojat e ciklonit.

Një zyrtar i Bangladeshit ka thënë se stuhia pritet t’i godasë dhjetëra fshatra të zonës së ulët bregdetare. Sidoqoftë, besohet se cikloni e ka humbur fuqinë fillestare dhe tashmë është më pak i rrezikshëm.

Rreth 1.2 milionë njerëz që jetojnë në zona të ndjeshme të Bangladeshit janë zhvendosur dhe janë strehuar në rreth 4000 strehimore. Stuhia tashmë i ka shkatërruar disa shtëpi në rajonin e Noakhalit, ku një fëmijë dyvjeçar e ka humbur jetën dhe më shumë se 30 njerëz janë lënduar.

Autoritetet në Indi janë duke i vlerësuar dëmet e shkaktuara nga cikloni Fani, i cili për disa ditë ka lëvizur ngadalë drejt Gjirit të Bengalit. Mediet indiane kanë raportuar se shumica e 12 viktimave kanë vdekur për shkak të rrëzimit të drunjve.

Qyteti i njohur për tempuj dhe me dalje në det, Puri, është dëmtuar më së shumti nga ky ciklon. Erërat me shpejtësi deri 200 kilometra në orë ua kanë hequr kulmet shtëpive, i kanë rrëzuar shtyllat elektrike dhe i kanë nxjerrë drunjtë me rrënjë, shkruan “Reuters”.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme